“…për dëftimin e drejtësisë së tij në kohën e tanishme; që ai të jetë i drejtë dhe drejtësues i atij që është prej besimit në Jezusin.” ROMAKËVE 3:26
Pa vdekjen e Krishtit në kryq, nuk ka ungjill. Perëndia Atë ka bërë të mundur që burrat dhe gratë mëkatare të kenë përbashkësi me Të nëpërmjet flijimit të Jezusit. Nëse duam ta njohim Perëndinë, duhet ta takojmë Atë në Zotin Jezu Krisht. Vetëm nëpërmjet kryqit, Perëndia tregon drejtësi në ndëshkimin e mëkatit dhe mëshirë në faljen e tij, duke u hapur rrugën njerëzve si ju dhe unë për të hyrë në qiell pa e njollosur shenjtërinë e tij. Kryqi është përgjigjja e Perëndisë si ndaj vetë mëkatit, ashtu edhe ndaj zemërimit të Tij kundër mëkatit. Për ata që nuk besojnë, përgjigjja e Perëndisë tingëllon absolutisht e marrë, por ata që besojnë, e kuptojnë se kryqi është vetë fuqia e Perëndisë (I Korintasve 1:18).
Nëse Perëndia thjesht do ta anashkalonte mëkatin ose do të hiqte dorë nga zemërimi ndaj tij, atëherë Ai do të pushonte së qeni Perëndi; sepse drejtësia e Perëndisë është thelbësore në karakterin e Tij, dhe drejtësia kërkon që mëkati të ndëshkohet. Ai nuk mund të mbyllë një sy ndaj së keqes. Ky është një lajm i mrekullueshëm për ne kur vuajmë në duart e të tjerëve; ky është gjithashtu një lajm kthjellues për ne, sepse ne vetë jemi mëkatarë.
Kryqi i Krishtit është mënyra se si Perëndia mund të jetë i drejtë dhe t’i shpallë të pafajshëm mëkatarët që e kanë vendosur besimin në këtë Shpëtimtar të kryqëzuar. Për ta trajtuar mëkatin, në hirin e Tij, Perëndia dërgoi Birin e Tij që të merrte dënimin që meritojnë mëkatarët. Shpëtimi ynë është me anë të zëvendësimit. Ndalo për të reflektuar mbi këtë. Është befasuese që, së pari, Perëndia ta krijonte këtë plan dhe, së dyti, që Ai ta zbatonte atë. Të menduarit për kryqin duhet të na shtyjë gjithmonë drejt lavdërimit plot mahnitje dhe përulësi.
Ky zëvendësim është arsyeja pse të gjitha flijimet e Besëlidhjes së Vjetër të drejtojnë te Jezusi. Në vdekjen e Krishtit, zemërimi i Perëndisë, që është reagimi i Tij i drejtë ndaj mëkatit, shuhet, ndërsa dashuria e Tij për ne madhërohet. Burrat dhe gratë që besojnë në Jezusin, nuk kanë më nevojë që të përballen me zemërimin e Tij; përkundrazi, ne jemi të ftuar që të gëzohemi për dashurinë e shfaqur në kryq. Në të vërtetë, të gjitha bekimet dhe përfitimet e ungjillit bëhen tonat si rezultat i asaj që Jezusi ka arritur me jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Tij.
Jezusi erdhi për të mbajtur të gjithë dënimin e Perëndisë për mëkatin. Kur Krishti zuri vendin tonë, Ai duroi në kryq gjykimin që meritojmë ne dhe me të cilin duhet të përballemi në ditën e fundit, që ne të mund të qëndrojmë përpara fronit të Perëndisë dhe të themi: “Unë jam me Të. Ai jetoi jetën që unë nuk mund ta jetoja. Ai vdiq në vendin tim.”
Në letrën e tij të parë, Gjoni shkruan se nganjëherë mund “të na dënojë zemra jonë” (I e Gjonit 3:20). Kjo është një përvojë e përbashkët për të gjithë njerëzimin. Mirëpo i krishteri nuk ka pse ta damkosë ndërgjegjen e tij për të qetësuar zërin dënues dhe as nuk ka pse të shtypet nga ai zë. Ne mund të jemi shumë të ndershëm në lidhje me thellësinë e mëkatit tonë, sepse dashuria e Perëndisë është akoma edhe më e thellë. “…tani nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus” (Romakëve 8:1). Jezusi erdhi për të na takuar në kryq. Mëkatar i falur, a do ta takosh Atë dhe do të mrekullohesh me Të atje?
