“Dhe tani, o Zot, vështro kërcënimet e tyre dhe jepu skllevërve të tu që ta flasin me plot guxim fjalën tënde… Dhe ndërsa ata u lutën me përgjërim, u tund vendi në të cilin ishin mbledhur dhe u mbushën të gjithë me Frymën e Shenjtë, dhe nisën ta flisnin fjalën e Perëndisë me guxim.” VEPRAT E APOSTUJVE 4:29, 31
Kur e ndiejmë se kultura jonë është edhe më e vendosur për t’ia kthyer shpinën ungjillit dhe po i kundërshton edhe më ashpër deklaratat e Shkrimeve, pyetja e natyrshme është kjo: Çfarë të bëjmë? Përgjigjja jonë nuk duhet të bazohet në atë që na duket e rehatshme, por në atë që thuhet në Bibël.
Sigurisht që kisha e hershme i njihte mirë trazirat shoqërore. Duke e ditur se shpëtimi dhe shpresa mund të gjendeshin vetëm në vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit, Pjetri predikoi pa frikë në ditën e Rrëshajëve, vetëm pak javë pasi ai e kishte mohuar faktin që e njihte Jezusin dhe që ishte ndjekës i tij (Veprat e Apostujve 2:1-41). Predikimi i guximshëm i Pjetrit dhe i apostujve të tjerë çoi në rritjen e shpejtë të kishës — mirëpo çoi edhe në trazira dhe përndjekje për besimtarët (v. 1-22).
Prandaj, nuk është habi kur lexojmë se ata e ngritën zërin përpara Perëndisë. Ata e dalluan kundërshtimin me të cilin u përballën dhe u lutën — me njohuri, në mënyrë biblike dhe me guxim.
“Dhe tani, o Zot…” Nëse do të na kërkohej që ta përfundonim atë lutje, ka të ngjarë që t’i kërkonim Perëndisë që t’i largonte kërcënimet, ta zbuste kundërshtimin ose të na ruante nga përndjekja. Mirëpo kjo nuk ishte lutja që bënë besimtarët e hershëm. Përkundrazi, ata u lutën që ta shpallnin ungjillin “me plot guxim”.
Lutja e tyre vazhdon të jetë një lutje me vend. Sigurisht që, në këtë kohë, nevoja më e madhe e kishës së Jezu Krishtit është thjesht kjo: guxim plot me Frymën dhe të përqendruar te Krishti. Ne po jetojmë në një kulturë të formuar nga një përzierje opinionesh dhe tensionesh që nuk harmonizohen me njëra-tjetrën. Në këtë kontekst, Perëndia na thërret që të shkojmë dhe të themi: “Se unë nuk kam turp për ungjillin, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtim të çdokujt që beson…” (Romakëve 1:16). Ndërsa veprojmë kështu, bëjmë mirë të kujtojmë që në thelb të ungjillit qëndron kryqi. Nëse duam t’i flasim botës me guxim, atëherë do të shpallim, me fjalët e Isaias, që në kryq Jezusi “u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar” (Isaia 53:5). Siç e vë në dukje edhe Rico Tice-i, kjo do të na kërkojë që të jemi aq të guximshëm, sa të kalojmë përtej pengesës së dhimbjes dhe të rrezikojmë që të përballemi me armiqësinë e atyre që nuk bien dakord me ne, në mënyrë që të zbulojmë uri mes atyre në të cilët Zoti po punon tashmë.
I gjithë ungjilli i është dhënë të gjithë kishës për të arritur të gjithë botën. Nuk ka rëndësi nëse je muzikant, inxhinier, bujk ose farmacist; urdhri i Perëndisë për secilin prej nesh është që të flasim fjalën e Tij, misterin e ungjillit.
Prandaj, a je i gatshëm për të qenë aq i guximshëm, sa të lutesh për guxim? Jo për një jetë të lehtë ose të rehatshme, të shëndetshme ose të admirueshme, por për një jetë dëshmie? A do ta bësh këtë lutje të kishës së hershme lutjen tënde të përditshme, duke kërkuar që të mbushesh nga Fryma e Perëndisë dhe të trimërohesh për t’ia shpallur ungjillin e Tij një bote që ka kaq shumë nevojë për të vërtetën, pavarësisht nga çmimi që duhet të paguash?
