31 Gusht 2026

“Ato që më ishin fitim, këto i kam çmuar për shkak të Krishtit humbje…
për shkak të të cilit i humba të gjitha dhe i çmoj si plehra, me qëllim
që të fitoj Krishtin dhe të gjendem në të…”
FILIPIANËVE 3:7-9

Shpesh jeta ka të bëjë me gjërat që duhet të bëjmë për të hyrë apo për t’u pranuar diku. “Çfarë duhet të bëj për t’u futur në atë shkollë? Çfarë duhet të bëj për t’u pranuar në atë rreth shoqëror? Për të arritur në një pozitë drejtuese?”. Prandaj, prej natyre, njerëzit mendojnë njëlloj edhe për realitetet frymërore: “…duke bërë çfarë do të trashëgoj jetë të përjetshme?” (Luka 18:18, theksimi i shtuar).

Shpesh mbështetemi te veprimtaritë tona — te frekuentimi i takimeve të kishës, te lutja, te leximi i Biblës. Ne ndihemi të sigurt kur i bëjmë ato dhe të dënuar kur nuk i bëjmë. Ne mund ta shohim ligjin e Perëndisë si një shkallë së cilës i ngjitemi për të fituar pranimin e Tij.

Në pasazhin para këtij vargu, Pali sapo i ka radhitur të gjitha “fitimet” tokësore në jetën e tij, si ato të trashëguara, ashtu edhe ato që kishte arritur, nga lindja e tij e privilegjuar tek arsimimi i tij i shkëlqyer. Pastërtia e prejardhjes së tij nuk u vu kurrë në dyshim që nga dita kur lindi. Në thelb, Pali po thotë: “Nëse këta faktorë arrijnë pranimin nga Perëndia, ju mund ta shihni se unë i kisha të gjithë. A e përmbusha çdo hollësi të rregullave dhe ligjeve frymërore? Absolutisht që po.”

Dikur Pali kishte menduar se ishte milioner në aspektin frymëror. Ai kishte menduar se po përparonte në shenjtëri. Pastaj, një ditë gjithçka ndryshoi. Në një udhëtim nga Jerusalemi për në Damask, Pali kuptoi se ishte i falimentuar frymërisht — se madje nuk ishte fare në shtegun e shenjtërisë.

Çfarë i dha shpresë Palit? Në po atë udhëtim, ai takoi Jezusin e kryqëzuar dhe të ringja­llur (Veprat e Apostujve 9:1-19), dhe e kuptoi doktrinën e drejtësimit: që Perëndia e deklaron mëkatarin të drejtë mbi bazën e veprës së përfunduar të Birit të Tij.

Shumë ndryshe nga të qenët një shkallë, ligji i Perëndisë është më shumë si një pasqyrë që na tregon se e kemi gabim dhe se nuk mund ta rregullojmë dot jetën tonë. Sikurse Pali, çdo avantazh që më parë e konsideronim si fitim, tani e shohim si humbje, si dështim.

Si mund ta dish që Krishti të pranon? Jo ngaqë ti vjen tek Ai me drejtësinë tënde; përkundrazi, ngaqë mëkati yt është transferuar në llogarinë e Krishtit, i cili nuk njohu mëkat, por u bë mëkat për ty, që ti të mund të marrësh drejtësinë e Tij të përsosur
(II Korintasve 5:21). Ti nuk mund të bësh dot asgjë për t’u drejtësuar para Perëndisë. Nuk mund t’i heqësh dot asgjë drejtësimit tënd përpara Tij. Drejtësimi është i plotë për shkak se Perëndia u jep besimtarëve drejtësinë e Krishtit, dhe ai është përfundimtar, pasi varet vetëm nga dhurata e Perëndisë në Birin e Tij.

Sapo e mëson se nuk mund ta humbasësh dot hyrjen tënde në jetën e përjetshme, je gati të heqësh dorë nga gjithçka tjetër, për hir të Atij që e ka fituar hyrjen tënde: nga repu­tacioni, pasuria, pozita e shquar, statusi, zotërimet. Ato që dikur i mendoje si fitim, tani mund t’i konsiderosh me gëzim si humbje. Ti je i gatshëm ta humbasësh jetën tënde për Krishtin, ngaqë e di se përmes Krishtit ke fituar jetën e vërtetë. Ç’gjë e ke të vështirë që ta braktisësh për hir të Jezusit? Lëre drejtësimin tënd të jetë fuqia e bindjes sate me gjithë zemër.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17