Më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj.
Predikuesi 7:8
Pa vështro pak Zotin dhe Padronin e Davidit; pa shiko pak fillimin e Tij. Ai u përçmua dhe u hodh poshtë nga njerëzit, duke qenë njeri i dhembjeve dhe njohës i vuajtjes. Pastaj shihe edhe fundin! Ai ulet në të djathtën e Atit të Tij, duke pritur paskëtaj që armiqtë t’i vihen si stol për këmbët. “...sikurse është ai, jemi edhe ne në këtë botë” (1 e Gjonit 4:17). Duhet ta mbartësh kryqin, ose përndryshe nuk do ta mbash kurrë kurorën; duhet të kalosh përmes ujërave, ose përndryshe nuk do të ecësh kurrë mbi rrugët e arta.
Merr zemër, pra, i krishterë i gjorë! “Më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj.” Pa vështroje pak atë krimbin që zvarritet—sa e neveritshme është pamja e tij! E, pra, ai është fillimi i një gjëje të re. Pa vëzhgoje pak atë insektin me krahë të shkruar, që luan nën rrezet e diellit dhe që thith nektar nga lulet, plot me hare dhe gjallëri—ky është fundi i krimbit. Ai krimb je ti dora vetë, i mbështjellë me kukulen e vdekjes; por kur të shfaqet Krishti, do të bëhesh i ngjashëm me Të, sepse do ta shohësh Atë ashtu si është.
Ji i kënaqur të jesh si Ai, si një krimb dhe jo një njeri, me qëllim që, ashtu si Ai, edhe ti të mund të jesh i lumtur kur të zgjohesh [në risinë e jetës] në të Tijin shëmbëllim. Diamanti i papërpunuar vendoset në instrumentin e argjendarit. Ai e pret nga të gjitha anët. Tek përpunohet, diamanti humbet një pjesë të mirë të masës së tij—humbje e cila i duket tepër e madhe në vetvete. Mbreti kurorëzohet; nën tingujt e gëzueshëm të trumbetës, diadema vendoset mbi kokën e monarkut. Një rreze e shkëlqyeshme feks nga ajo kurorë dhe vezullon prej të njëjtit diamant, të cilit iu dha formë së fundi.
Ti mund të guxosh ta krahasosh veten me një diamant të tillë, sepse je pjesëtar i popullit të Perëndisë; dhe ka ardhur koha për procesin e prerjes. Besimi dhe durimi e bëfshin punën e tyre të përsosur, sepse në ditën kur kurora do të vendoset mbi kryet e Mbretit të përjetshëm, të pavdekshëm dhe të padukshëm, një rreze lavdie do të burojë edhe prej teje. “‘Ata do të jenë të mitë’, thotë ZOTI i ushtrive, ‘ditën kur unë përgatis thesarin tim të veçantë’” (Malakia 3:17). “Më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj.”
© dritez.al 2024