“…kur pa nga larg një fik që kishte gjethe, shkoi të shihte nëse ndoshta do të gjente
diçka në të. Dhe kur arriti tek ai, nuk gjeti asgjë, përveçse gjethe, sepse nuk ishte
koha e fiqve. Dhe duke iu kthyer fikut, i tha: ‘Mos ngrëntë më askush frutë prej teje,
përjetë!’. Dhe dishepujt e tij po dëgjonin.” MARKU 11:13-14
Këtu kemi një rrëfim të “mbushur plot me vështirësi”. Gjëja më tronditëse në lidhje me mallkimin e një fiku nga Jezusi këtu është se kjo është një mrekulli shkatërrimi. Deri në këtë pikë të Ungjillit sipas Markut, çdo gjë tjetër që e kemi parë Jezusin të bëjë, ka qenë një mrekulli transformimi ose restaurimi. Meqenëse kjo është një përmbysje e plotë dhe e ndryshme nga veprimet e tjera të Jezusit, ne duhet të gërmojmë më thellë për domethënien e saj.
Në Besëlidhjen e Vjetër, si hardhia, ashtu edhe fiku, përdoren në mënyrë të zakonshme si metafora për të përshkruar pozitën e izraelitëve përpara Perëndisë. Kur hardhia ose fiku prodhon frutë të mirë, gjithçka po shkon mirë; kur jep frutë të keqe ose nuk jep frutë, populli i Perëndisë e ka humbur rrugën.
Ndërsa Jezusi vuri re zbrazëtinë e plotë që shfaqej në veprimtaritë fetare të asaj kohe, mund t’i kenë ardhur në mendje këto fjalë të profetit Mikea: “Mjerë unë! Sepse jam si ata që vjelin frutat e verës, si ata që mbledhin rrushin pas vjeljes: nuk ka asnjë vile për të ngrënë, shpirti im dëshiron një fik të parë” (Mikea 7:1).
Prandaj, mallkimi i një fiku nga Jezusi nuk ishte aspak arbitrar. Kjo skenë ishte një shëmbëlltyrë e aktruar e simbolizmit profetik. Ai përdori fikun për të demonstruar gjykimin që do të binte së shpejti mbi Jerusalemin. Jezusi kishte ardhur në qendër të jetës fetare duke kërkuar lutje dhe frytshmëri, por nuk kishte gjetur asnjërën. Fiku i pafrytshëm ishte emblemë e një legalizmi fetar dhe ritual, që pretendonte të ngopte zemrën e uritur dhe të kënaqte Perëndinë, por kur njerëzit iu përkushtuan një feje të tillë, aty nuk kishte asgjë që t’i kënaqte — dhe ky veprim i Birit hyjnor tregon se Perëndia nuk ishte aspak i kënaqur.
A ka ky paralajmërim profetik ndonjë domethënie për ne që jetojmë kaq larg pemëve të fiqve dhe tempujve? Po! Sfida për të dhënë fryte të mira vlen edhe për ne. Megjithatë, ne, gjithashtu, duhet të kemi kujdes që të mos i ngatërrojmë ritet fetare ose vetëdrejtësinë që vjen nga zbatimi i rregullave me frytin e vërtetë. Populli i Perëndisë është gjithmonë në
rrezik për ta këmbyer një marrëdhënie të gjallë me një legalizëm të pafrytshëm. Si mund t’ia vëmë veshin paralajmërimit të fikut të tharë? Në një vend tjetër, Jezusi na thotë: “Çdo shermend në mua që nuk jep fryt, ai e heq… Unë jam hardhia, ju shermendet. Ai që rri në mua dhe unë në të, ky jep shumë fryt; sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë (Gjoni 15:2, 5). Me fjalë të tjera, nuk duhet të përpiqemi që thjesht të veprojmë më mirë, por që ta njohim Jezusin më mirë.
A ka ndonjë aspekt të përfaqësuar nga kjo pemë fiku që është i vërtetë për jetën tuaj? Kur Jezusi të vijë dhe të na “kontrollojë”, a do të gjejë Ai vallë “fruta në degët tona”? A do të gjejë Ai besim? Qëndroni të lidhur përulësisht me Jezusin, Hardhinë tonë, dhe Fryma e Tij do të bëjë që në ju të rritet pikërisht fryti që po kërkon Ai.
