2 Maj 2026

“…Mos u mashtroni! As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as të zhburrëruar seksualisht, as ata që shkojnë me meshkuj, as vjedhës, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as grabitqarë, nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë. Dhe të tillë ishit disa, por u latë, por u shenjtëruat, por u drejtësuat…”I KORINTASVE 6:9-11

I Ligu nuk shqetësohet për të na bindur që të mos u kushtojmë vëmendje shumë prej veprimtarive tona të krishtera — por ai shqetësohet për të na bindur që të mos mbahemi edhe aq fort pas të vërtetave absolute në lidhje me natyrën dhe karakterin e Perëndisë, si dhe pas të vërtetave absolute në lidhje me etikën e mbretërisë së Tij. Duke e ditur këtë, Pali i paralajmëroi besimtarët korintas që të mos endeshin në fushën e minuar të sjelljes së paperëndishme. “Mos u mashtroni”, thotë Pali, “të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë”.

Pali përshkruan disa nga fushat e ligësisë, të cilat ishin bërë të pranueshme për shoqërinë e Korintit. Qyteti ishte një qendër tregtare plot gjallëri, një përzierje racash, besimesh dhe gjuhësh. Megjithatë, si kulturë, ajo nuk kishte rrënjë dhe ishte shumë e ashpër. Në fakt, ai qytet ishte aq i shthurur, saqë “Korinti” u kthye në një emërtim për vetë imoralitetin. Pra, çfarë bëri Pali? Ai erdhi në këtë qytet me një strategji. Ai “nisi t’i kushtohej plotësisht fjalës, duke u dëshmuar judenjve se Jezusi është Krishti” (Veprat e Apostujve 18:5). Objektivi i tij nuk ishte të miratonte legjislacione, por të fillonte shpalljen e ungjillit.

Nuk ka asnjë agjendë legjislative që mund ta shpengojë kulturën. Përkundrazi, ka një mesazh të dërguar nga Perëndia për t’i shpenguar burrat dhe gratë, i cili është thjesht ky: “…Jezu Krishtin, dhe këtë të kryqëzuar” (I Korintasve 2:2). Ungjilli është agjenda e Perëndisë për botën tonë. Ai përdor fuqinë dhe bindjen e fjalës së Tij për të folur në jetët e njerëzve dhe për të sjellë ndryshime rrënjësore.

Pali nuk besonte në retorikën e përpunuar. Ai e kishte një mesazh dhe e shpallte atë vazhdimisht. Ai e dinte se vetëm vdekja shlyese e Krishtit në kryq, bën të mundur që burrat dhe gratë të lirohen nga mëkatet e tyre dërrmuese, që kështu të ecin “në risi jete” (Romakëve 6:4).

Është e rrezikshme dhe e panevojshme të mbetesh i lig. Mesazhi i ungjillit tingëllon po aq fort dhe me po aq efektshmëri sot, sa edhe në rrugët e Korintit. Ai hap një shteg mes mashtrimit të relativizmit të botës dhe prirjes për të menduar se vetëm ligjet mund të ndryshojnë zemrat ose të prodhojnë besim. Nevoja e madhe e jetëve tona, e qyteteve tona dhe e kombeve tona është që mëkatarët të shpëtohen. Mos u mashtroni duke menduar se mëkati nuk ka rëndësi. Mos u mashtroni duke menduar se shoqëria juaj ka më shumë nevojë për diçka tjetër, përveç lajmit të mbretërisë së Perëndisë. Ne duhet të rrëfejmë mesazhin e Mesias të kryqëzuar:

Vdiq Ai për faljen tonë,
Vdiq Ai që të na bëjë të mirë,
Që më n’fund në qiell të shkojmë,
Se veç prej gjakut të Tij të çmuar shpëtojmë.


Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

VEPRAT E APOSTUJVE 18:1-11