3 korrik

Korrik 2022


Kjo është një frazë e bukur te letra e parë e Timoteut, e mbuluar poshtë sipërfaqes tepër të njohur të fjalëve më në modë të Biblës. Gjithsesi, pasi e ke gërmuar, tingëllon kështu: “Sipas lajmit të mirë të lavdisë të të lumit Perëndi.” Fjala “i lumë” nuk do të thotë “i lavdëruar”, por ka kuptimin “i lumtur”.

Një pjesë e madhe e lavdisë së Perëndisë është lumturia e Tij.

Për apostullin Pal ishte e pakonceptueshme që Perëndisë t’i privohet gëzimi i pafundmë dhe ende të jetë plotësisht i lavdishëm. Të jesh pafundësisht i lavdishëm do të thotë të jesh pafundësisht i lumtur. Ai përdori frazën: “lavdisë të lumit Perëndi”, sepse është gjë e lavdishme që Perëndia të jetë i lumtur ashtu siç është.

Lavdia e Perëndisë konsiston më së shumti në faktin që Ai është i lumtur përtej çdo përfytyrimi. Siç tha edhe predikuesi i madh i shekullit të tetëmbëdhjetë, Jonathan Edwards: “Pjesë e plotësisë së Perëndisë të cilën Ai e komunikon është lumturia e Tij. Kjo lumturi qëndron në gëzimin dhe shijimin e vetes së Tij; këtu qëndron gjithashtu edhe lumturia e krijesës.”

Kjo është pjesë thelbësore e ungjillit, thotë Pali, “ungjillit të lavdisë të të lumit Perëndi”. Është lajm i mirë që Perëndia është lavdishëm i lumtur. Askush nuk do të donte ta kalonte përjetësinë me një Perëndi të zymtë dhe të trishtuar.

Nëse Perëndia nuk është i lumtur, atëherë synimi i ungjillit—që të jemi me Perëndinë përgjithmonë—nuk është një synim i lumtur dhe kjo do të thotë se nuk do të ishte fare ungjill. Por, në fakt, Jezusi na fton ta kalojmë përjetësinë me një Perëndi të lumtur kur thotë: “Hyr në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:23).

Jezusi tha te Gjoni 15:11: “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.” Jezusi foli, jetoi dhe vdiq që gëzimi i Tij—gëzimi i Perëndisë—të jetë në ne dhe që gëzimi ynë të jetë i plotë. Prandaj, ungjilli është “ungjilli i lavdisë të të lumit Perëndi”.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia