“Mos merrni hak për veten tuaj, o të dashur, por jepini vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ‘Mua më përket hakmarrja; unë do të shpaguaj’, thotë Zoti. Përkundrazi, ‘po të ketë uri armiku yt, jepi të hajë;po të ketë etje, jepi të pijë; sepse duke bërë këtë, do të grumbullosh thëngjij zjarri mbi kokën e tij.’” ROMAKËVE 12:19-20
“Thëngjijtë e zjarrit” në këtë pasazh nuk janë një metaforë për hakmarrjen ose dhimbjen. Përkundrazi, ato nënkuptojnë turpin dhe pendimin që ndiejnë individët kur, në vend që t’u japim atyre ndëshkimin që ne mendojmë se ata meritojnë, ne u tregojmë atyre dashamirësi dhe bujari. Ky është efekti i shkaktuar kur të krishterët i trajtojnë ata që u kanë bërë keq, në një mënyrë që është krejt pa ligësi apo hakmarrje dhe, si rrjedhim, një qëndrim i tillë është në thelb i mbinatyrshëm. Kur kjo ndodh, siç vëren edhe John Calvin-i, mendja e armikut mund të “sfidohet në një nga dy mënyrat: ose armiku ynë do të zbutet nga mirësia, ose …do të thumbohet dhe do të torturohet nga dëshmia e ndërgjegjes së tij”.
Prandaj, në fund të fundit, këta thëngjij nuk duhet të sjellin lëndim, por shërim. Veprimet tona bujare kanë për qëllim të nxitin pajtimin, duke e tërhequr individin drejt nesh dhe jo duke e shtyrë atë larg nesh. Kjo është njësoj si mirësia që morëm nga Perëndia kur ishim ende armiqtë e Tij (Romakëve 2:4; 5:8).
Megjithatë, nëse tregohemi të sinqertë, ata nuk janë në të vërtetë lloji i thëngjijve që presim kur na bëjnë keq dhe na lëndojnë. Shumë prej nesh do të ishin vërtet të lumtur po të zbulonin se thëngjijtë në të vërtetë do të binin mbi kokat e armiqve tanë, duke i djegur ata dhe duke u shkaktuar plagë. Në fund të fundit, kjo nuk është asgjë më pak sesa meritojnë! Mirëpo kjo pasqyron natyrën tonë të rënë dhe jo besimin tonë. Kjo nuk duket dhe as nuk tingëllon si Jezusi. Kjo është ajo që i bën këto vargje kaq jashtëzakonisht sfiduese.
Vini re se fjala e Perëndisë na thërret që jo thjesht të mos reagojmë me hakmarrje, por të jemi proaktivë në dhënien e bekimit. Kur arrijmë të mos hakmerremi, ne ende nuk jemi bindur plotësisht. Si dishepuj të Jezusit, ne nuk duhet vetëm të përmbahemi për të mos u bërë keq armiqve tanë; në fakt, ne duhet t’u bëjmë të mirën atyre. Është e lehtë që ta bindim veten se shpërfillja e armiqve tanë do ta trajtojë problemin ose se kjo është realisht më e shumta që mund të pritet të bëjmë; por këtu zbulojmë se, në fakt, ne duhet t’u tregojmë mikpritje! Roli ynë është që të reagojmë me frymë bujarie ndaj keqbërjes, duke besuar se Perëndia do të gjykojë gjithmonë me drejtësi dhe se për këtë arsye nuk ka pse të gjykojmë, dhe në të vërtetë nuk duhet ta bëjmë këtë (I e Pjetrit 2:23).
Madje, si anëtarë të trupit të Krishtit, shumë prej nesh ende përpiqen t’i justifikojnë veprimet ose mendimet tona të pabindura dhe hakmarrëse. Megjithatë, edhe pse mendjet e armiqve tanë mund të jenë në gjendje për t’i përballuar argumentet tona dhe fryma e tyre do të jetë mjaft e fortë për t’u përballur me kërcënimet tona, dashuria në veprim mund t’i sjellë ata në pendim.
Si duhet të transformohet zemra jote ose të ndikohen veprimet e tua nga këto vargje? Mos lejo që të të shpëtojë sfida që ato paraqesin. Pjesë e rritjes në ngjashmërinë me Krishtin është të kërkosh mënyra për t’u bërë të mirën armiqve të tu, duke vepruar nga vërshimi i mirësisë dhe i bujarisë radikale të Perëndisë.
