“Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.” ROMAKËVE 12:21
Ndërsa studionte në Universitetin e Kembrixhit (Cambridge University) në vitet 1940, një vajzë e re u bë Sekretarja e Partisë Komuniste. Dimri i viteve 1946-1947 ishte jashtëzakonisht i ashpër, duke bërë që tubacionet e ujit të ngrinin pjesërisht, dhe si pasojë pati mungesë uji. Studentet mund të bënin banjë vetëm një herë në javë, dhe teksa prisnin në radhë të gjata, kishte shumë ankesa dhe grindje për radhën — ku përfshihej edhe Sekretarja e Partisë Komuniste.
Njëra nga vajzat që e kishte më të lehtë për të hyrë në banjë ishte e krishterë. Me kalimin e kohës, studentja komuniste vuri re se kjo vajzë nuk i mbronte kurrë të drejtat e saj dhe reagonte me butësi ndaj egoizmit të të tjerave. E krishtera po praktikonte dhe po jetonte atë që komunistja e re pretendonte se e besonte, por nuk e zbatonte. Ky vëzhgim çoi në një bisedë, në një kthim në besim — dhe, në fund, në një misionare të re në Lindjen e Largët.
Kurdoherë që përpiqemi ta mundim të keqen me fjalët dhe veprat tona të liga, ne humbasim. E keqja nuk mund të mposhtet nga një forcë e ngjashme e keqe. Kështu, e keqja dyfishohet në vend që të hiqet qafe. Nëse humbasim vetëkontrollin teksa merremi me një armik, atëherë jemi mundur jo nga ai person, por nga i Ligu. Të humburit jemi ne dhe e kemi humbur mundësinë për të bërë atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë.
Mundja e së keqes është një nocion popullor në kulturën tonë. Këtë e dëgjojmë në këngë dhe slogane nxitëse. Shpesh ideja është se, nëse mund të “qëndrojmë së bashku”, do të kemi sukses në mposhtjen e të këqijave që na mundojnë. Kjo është një ide fisnike, por i mungon fuqia e nevojshme. Ne nuk mund ta mposhtim dot vetë të keqen; kjo thjesht nuk do të funksionojë. Ne “stërfitojmë” vetëm “nëpërmjet atij që na deshi” (Romakëve 8:37). Fuqia e Perëndisë me anë të Frymës së Tij dhe fjalës së Tij na jep njëherazi shtysën dhe forcën që na nevojitet për të triumfuar.
Ky është shtegu që ndoqi Jezusi. Ai nuk u hakmor Vetë, por ia besoi Veten duarve të Atit të Tij. Krishti shkoi në kryq, ku dashuria triumfoi mbi të keqen. Ndërsa zgjedhim të jemi të butë, të bëjmë të mirën dhe të ecim në udhën e kryqit, ne do të përjetojmë fuqinë e Perëndisë në veprim brenda nesh, për ta mundur të keqen me mirësinë e dashurisë së Tij. Shkrimtari i himneve, Charles Tindley, na e kujtoi këtë të vërtetë kur shkroi:
Shpata ime, Fjala e Perëndisë,
Me të një ditë do të fitoj…
Nëse Jezusin Udhëheqës kam,
Me të një ditë do të fitoj.
Me hirin e Tij, një ditë do t’i mposhtësh të gjitha sfidat dhe padrejtësitë e kësaj bote. Sot, ndërsa e kthen të gabuarën me të drejtën, shpërfilljen me mirësi dhe negativitetin me bekim, me hirin e Tij do ta mundësh të keqen me të mirën.
