prill 29

Prill 2022


Kjo është një fjalë shprese për të krishterët që vuajnë. Është një fjalë shprese për të krishterët që e urrejnë mëkatin e tyre dhe mezi presin t’i japin fund mëkatit. Kjo është një fjalë shprese për të krishterët që mezi presin që armiku i fundit, vdekja, të mposhtet dhe të hidhet në liqenin e zjarrit (Zbulesa 20:14).

Si është kjo një fjalë shprese për të gjithë këta njerëz?

“Nata” përfaqëson këtë epokë errësire bashkë me gjithë mëkatin, mjerimin dhe vdekjen e saj. Çfarë thotë Pali për këtë? “Nata u thye.” Epoka e mëkatit, e mjerimit dhe e vdekjes pothuajse ka mbaruar. Dita e drejtësisë, paqes dhe gëzimit të plotë është duke aguar.

Ndoshta po mendon: “2000 vite duken si një agim shumë i gjatë.” Nga njëra pikëpamje kështu është. Ne ngashërojmë: “Deri kur, o Zot, deri kur do ta lejosh të vazhdojë?” Megjithatë mënyra biblike e të menduarit shkon përtej këtij vajtimi që thotë “Deri kur”. Pikëpamja biblike e sheh ndryshe historinë e botës.

Dallimi kryesor është se “dita”–epoka e re e Mesias–ka aguar me të vërtetë në Jezu Krishtin. Jezusi është fundi i kësaj epoke të rënë, pra do të thotë se fundi i kësaj epoke ka arritur në këtë botë. Jezusi e mundi mëkatin, dhimbjen, vdekjen dhe satanin, kur vdiq dhe u ringjall sërish. Beteja vendimtare e epokave ka përfunduar. Mbretëria ka ardhur. Jeta e përjetshme ka ardhur.

Kur të ndodhë agimi—siç ndodhi me ardhjen e Jezusit—askush nuk duhet të dyshojë në ardhjen e ditës, edhe nëse agimi zgjatet 2000 vjet. Siç thotë edhe 2 e Pjetrit 3:8: “Por një gjë mos harroni, të dashur; se pranë Zotit një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë.” Agimi ka ardhur. Dita ka mbërritur. Asgjë nuk mund ta ndalojë diellin të arrijë kulmin e qiellit.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia