28 Maj 2026

“…ju, të dashur, kujtoni thëniet që janë parathënë nga apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht, që ju thoshin: ‘Në kohën e fundit do të ketë tallës që shkojnë sipas dëshirimeve të veta të papërshpirtërisë’. Këta janë ata që bëjnë ndarje, shpirtësorë, që nuk kanë Frymën.” JUDA 17-19

Njerëzit që kërkonin të shkaktonin ndarje nuk ishin unikë vetëm për kishën e shekullit të parë; ata kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë historisë së kishës. Prandaj, udhëzimi i Judës këtu është po aq praktik për ne sot, sa ishte edhe për besimtarët të cilëve ai u shkroi për herë të parë.

Ata që shkaktuan ndarje në kishën e hershme, kishin një kombinim të dëmshëm të gabimit moral dhe të atij doktrinar. Ata nuk e kishin Frymën, nxitnin sensualitet dhe jetonin “sipas dëshirimeve të tyre [mëkatare]” (Juda 16). Megjithatë, ata kishin arritur të futeshin disi në mes të popullit të Perëndisë. Juda i përshkruan ata si “guma” [shkëmbinj nënujorë] (v. 12), të cilët gjenden aq thellë nën sipërfaqen e ujit sa të mos dallohen, e megjithatë janë të aftë të bëjnë kërdi absolute nëse ndonjë anije përplaset me to. Në të vërtetë, ata shkëmbinj nënujorë janë në gjendje për ta fundosur anijen.

Si reagim ndaj këtyre sharlatanëve, Juda i nxiti bashkëbesimtarët e tij që të mos i harronin “thëniet që janë parathënë nga apostujt”, të cilët kishin paralajmëruar se “në kohën e fundit” — në kohën mes lartësimit të Zotit dhe kthimit të Tij — do të kishte nga ata që do të talleshin me mësimet e Krishtit dhe të apostujve të Tij të zgjedhur, dhe që do të toleronin, ose madje do të nxitnin, sjellje të shtyra nga dëshirat e tyre. Në provaninë e Perëndisë, kisha e hershme u paralajmërua që të mos kapej në befasi nga ata që do të shkaktonin ndarje të tilla — dhe në të vërtetë, kështu jemi paralajmëruar edhe ne.

Megjithatë, fjala e Perëndisë nuk na bën thirrje vetëm që të ruhemi nga ata që krijojnë grindje dhe ndarje; ajo, gjithashtu, na drejton që të sillemi me mëshirë ndaj atyre që përleshen me dyshimin e vërtetë. Ne duhet të kemi mëshirë “për disa që ndërdyshen” dhe të tjerë t’i shpëtojmë “duke i rrëmbyer prej zjarrit” të gabimit dhe të mëkatit (Juda 22-23), ndërkohë që i kundërshtojmë mësimet dhe synimet e mësuesve të rremë. Ruajtja e një ekuilibri të tillë është sfidë e madhe! E megjithatë, Juda nuk i shmanget nxitjes. Besimtarët që janë të sigurt në besimin dhe doktrinën e tyre, janë thirrur që t’i ripërtërijnë me një frymë butësie ata që kanë rënë (shih Galatasve 6:1) dhe që të ndërhyjnë në jetën e atyre që po luajnë me zjarrin.

Meqenëse Perëndia ju ka shpëtuar dhe ju ka mbajtur, ju jeni thirrur për të qenë vigjilentë ndaj rrezikut dhe për t’i nxjerrë të tjerët nga flaka, me guxim por butësisht. Ju jeni thirrur për ta mbajtur veten në dashurinë e Perëndisë dhe për t’u lutur me zell (Juda 20), që të jeni në gjendje për të dalluar gabimet dhe për t’u bërë ballë atyre që duan ta ndajnë kishën e Perëndisë. Atëherë do të jeni në gjendje për të qëndruar përkrah vëllezërve dhe motrave tuaja, dhe për të thënë bashkë me Judën: “…të vetmit Perëndi shpëtimtar tonin, nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, forcë dhe pushtet para çdo shekulli, dhe tani, dhe në të gjithë shekujt! Amen” (v. 25).

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

JUDA 1-25