29 Korrik 2026

“Dhe erdhën përsëri në Jerusalem. Dhe ndërsa Jezusi po ecte në tempull, erdhën tek ai kryepriftërinjtë dhe skribët, dhe pleqtë; dhe i thoshin: ‘Me çfarë pushteti i bën këto gjëra? Apo kush ta dha këtë pushtet, që të bësh këto gjëra?’.” MARKU 11:27-28

Askujt prej nesh nuk i pëlqen kur dikush tjetër ndërhyn në punët tona.

Kur dikush këmbëngul për të pasur vëmendjen tonë ose kërkon bindjen tonë, në mënyrë instinktive, ne përgjigjemi negativisht. Në përgjithësi, nuk duam që njerëzit të na thonë se çfarë të bëjmë, sidomos për çështjet frymërore. Është gjithmonë joshëse të pranoj­më nocionin, i cili është veçanërisht i popullarizuar në kohën tonë, se jeta jonë frymërore nuk është punë e askujt tjetër — por një çështje personale të cilën duhet ta dimë vetëm ne.

Prandaj, kur lexojmë Ungjijtë, mund të shqetësohemi dukshëm, pasi atje bëhet e qartë se Jezusi ndërhyn në jetën tonë. Po, kjo është për të mirën tonë — por megjithatë, Ai ndër­hyn. Në të vërtetë, në autobiografinë e tij, C. S. Lewis-i i referohet Jezusit si “Ndër­hyrësi i përtejbotshëm”. Që nga fillimi i shërbesës së Jezusit, njerëzit e kuptuan se Ai foli me autoritet (shih Marku 1:22, 27). Ai i tha gjërat në atë mënyrë që nuk mund të anashkaloheshin apo thjesht të shpërfilleshin. Mirëpo ato mund të kundërshtoheshin dhe të refuzoheshin. Mësimi i tij autoritar u kthye në një gjemb në ijet e mësuesve fetarë. Ata filluan t’i kundërviheshin Jezusit dhe shumë shpejt nisën të komplotonin për ta vrarë Atë, që të mos kishin nevojë që t’ia tregonin Atij gjendjen e tyre të vërtetë frymërore (3:6).

Ashtu si udhëheqësit fetarë, edhe ne shpesh parapëlqejmë një përshpirtshmëri personale që formohet nga agjenda dhe stili i jetës sonë: “Kjo është ajo që besoj. Kjo është bindja ime. Kjo është ajo që kemi bërë gjithmonë. Kjo është tradita jonë.” Jezusi vjen me forcë kundër atyre nocioneve, duke e kthyer përmbys gjithçka, duke marrë vlerat e krijuara nga njeriu dhe duke u dhënë fund atyre. Në fakt, në fund të shërbesës tokësore të Jezusit, Ai deklaroi se i ishte dhënë i gjithë pushteti (Mateu 28:18-19). Ai nuk e ndan atë pushtet me askënd. Në fakt, jetët tona frymërore janë punë e Tij. Ne përulemi përpara autoritetit të Tij dhe e përqafojmë Atë si Zot dhe Shpëtimtar tani, përndryshe një ditë do të përkulemi para Tij dhe do ta takojmë Atë vetëm si Gjykatësin tonë.

Ta shtojmë Jezusin në një cep të vogël të ekzistencës sonë është e lehtë dhe nuk na shkak­ton parehati, por është krejt ndryshe që ta lejojmë “Ndërhyrësin e përtejbotshëm” të marrë nën kontrollin e Tij çdo aspekt të jetës sonë dhe të kërkojë bindje të plotë nga ne. Auto­riteti i Tij i përsosur është një çështje që duhet ta marrim parasysh në çdo vendimmarrje. Prandaj, ne përballemi me pyetjen trazuese: A po jetoj sipas dëshirave të mia të natyrshme dhe rregullave që kam krijuar vetë? Apo, a jam duke kërkuar që t’i nënshtrohem me gëzim Shpëtimtarit tim çdo ditë dhe në çdo mënyrë? Vetëm kur zgjedhim të përkulemi përpara autoritetit të Jezusit, duke e pranuar zotërimin e Tij mbi kohën, talentet, paratë tona — mbi gjithçka që kemi dhe jemi — ne mund të fillojmë ta përqafojmë Atë me të vërtetë si Zot dhe Shpëtimtar, dhe të kënaqemi duke e njohur Atë si mik dhe udhërrëfyes. A po e mban Atë larg nga vetja në ndonjëfarë mënyre? Ky është pikërisht vendi ku Ai të thërret që ta lësh të ndërhyjë; është vendi ku ti ke mundësinë për ta trajtuar Atë me të vërtetë si të Vetmin që ka gjithë autoritetin. Sigurisht që Jezusi do ta trazojë jetën tënde — por vetëm Ai e ka këtë të drejtë dhe vetëm Ai mund të të çlirojë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17