“Por bëhuni bërës të fjalës e jo vetëm dëgjues, duke mashtruar veten tuaj.” JAKOBI 1:22
Si besimtarë, jetët tona mund dhe duhet të karakterizohen nga mendje që janë të stërvitura dhe të nënshtruara ndaj së vërtetës së fjalës së Perëndisë, dhe rrethanat tona duhet t’i mbështjellim me lutje (Filipianëve 4:6-8). Megjithatë, nëse duam ta njohim dhe ta përjetojmë fuqinë e Perëndisë që vepron brenda nesh, atë që dëgjojmë në Shkrime, duhet ta marrim dhe ta zbatojmë në praktikë. Duhet të jemi të zellshëm në vëmendjen që tregojmë ndaj Shkrimeve çdo ditë dhe në pjesëmarrjen tonë kur fjala e Perëndisë është duke u shpjeguar, por nuk duhet të biem kurrë në grackën e të menduarit se pjesëmarrja, vëmendja dhe dëgjimi me kujdes mjaftojnë. Ne duhet të jemi “bërës… e jo vetëm dëgjues”.
Te Gjoni 13, natën para vdekjes së Jezusit dhe pasi Ai ka qenë duke i mësuar dishepujt për njëfarë kohe, Ai u thotë atyre lidhur me mësimet e Tij: “Nëse këto gjëra i dini, të lumë jeni po t’i bëni” (Gjoni 13:17). Nëse pyet veten pse nuk po e përjeton bekimin e Perëndisë, mund të jetë ngaqë nuk po i zbaton fjalët e Tij në praktikë. Zoti na ka dhënë udhëzime të dobishme dhe na ka dhënë Frymën që të jetë Ndihmuesi ynë. Tani ne jemi përgjegjës që ta ngulitim të vërtetën e fjalës së Perëndisë në mendjen tonë, dhe pastaj të bëjmë atë që kemi mësuar, marrë dhe dëgjuar.
Sa i madh është trishtimi kur kishat bëhen si biblioteka të vjetra dhe të pluhurosura, të mbushura me kaq shumë jetë që janë si vëllime të së vërtetës, të cilat qëndrojnë ulur aty, të pashfrytëzuara kurrë. Ndërsa bëhemi gjithnjë e më të vetëdijshëm për të vërtetën, tundimi është që thjesht të ulemi dhe të mendojmë për të, pa ndërmarrë kurrë ndonjë veprim. Këtë lloj jete, Jakobi e përshkruan me fjalë të forta: kjo do të thotë të mashtrosh veten. Jo — kisha duhet të jetë një galeri përvojash së gjalla. Duhet të ketë gjallëri te besimtarët, që kur të përballemi me problemet e shumta të botës — probleme nga të cilat ne vetë nuk jemi të imunizuar — të mund t’i shohim ato siç janë dhe të reagojmë duke mbajtur lart të vërtetën e fjalës së Perëndisë ndërsa e jetojmë vetë atë.
Sot vendos që të mos jesh thjesht dëgjues dhe kështu të mashtrosh veten duke menduar se je një i krishterë që po rritet, kur në të vërtetë je duke u dobësuar. Vendos të jesh bërës i fjalës. Shikoje me ndershmëri jetën tënde tani dhe identifiko çdo fushë për të cilën ke dëgjuar se si të jetosh për Krishtin, por realisht nuk je bindur kurrë. Kjo do të jetë ajo pjesë e jetës sate për të cilën Fryma po të thotë pikërisht tani: Mos ji vetëm dëgjues. Bëhu bërës — sepse këtu gjendet bekimi.
