“Atëherë ZOTI i tha Gedeonit: ‘Për mua njerëzia që është me ty është tepër e madhe, që unë të jap Midianin në duart e tij; Izraeli do të mund të mburrej para meje duke thënë: “Është dora ime që më ka shpëtuar”. Prandaj shpalli tërë popullit, duke thënë: “Ai që ka frikë dhe dridhet, le të kthehet prapa dhe të largohet nga mali i Galaadit”’. Atëherë u kthyen prapa njëzet e dy mijë burra dhe mbetën në vend dhjetë mijë.” GJYQTARËT 7:2-3
Në çdo epokë, qëllimi i Perëndisë për popullin e Tij është që ne të mund të mbështetemi plotësisht tek Ai. Kur Perëndia e thirri Gedeonin për të shpëtuar izraelitët, ai u përball me një detyrë të pamundur: ushtria e tij duhej të përballej me midianitët. Thuhej se ushtria e tyre ishte aq e shumtë, saqë karkalecat dhe “devetë e tyre të panumërta ishin si rëra që ndodhet në bregun e detit” (Gjyqtarët 7:12). Ushtria e Gedeonit prej tridhjetë e dy mijë burrash as që mund të krahasohej me ta.
Dhe atëherë Zoti i tha Gedeonit: “Për mua njerëzia që është me ty është tepër e madhe, që unë të jap Midianin në duart e tij.” Dhe kështu njëzet e dy mijë burra u larguan nga ushtria. Pa dyshim që Gedeoni po bënte llogaritë dhe po pyeste veten se si mund të përputhej në mënyrë strategjike forca me forcë, me një numër edhe më të vogël ushtarësh. Ajo që ai nuk dinte, ishte se do të mësonte domosdoshmërinë e dobësisë.
Perëndia është gjithmonë duke punuar në rrethanat tona, për të na sjellë në një varësi më të madhe tek Ai dhe në një lavdërim edhe më të thellë për shpëtimin e Tij. Në jetën e Gedeonit, ashtu si edhe në jetën tonë sot, Perëndia nuk la asnjë vend për dyshim se vetëm Ai është Perëndi. Lavdia e Tij nuk do të ndahet me askënd dhe as do të vidhet nga ndokush tjetër. E thënë thjesht, Perëndia është plotësisht i mjaftueshëm; kurse ne nuk jemi. Si atëherë, ashtu edhe tani, Ai na ndihmon të shohim domosdoshmërinë e pranimit me përulësi të dobësisë sonë, në mënyrë që të lartësojmë madhështinë e Tij. E vërteta është që krenaria jonë është në formën e vet më të shëmtuar kur shfaqet si krenari frymërore — kur fillojmë të mburremi në lidhje me përvojat tona me Perëndinë ose me sukseset tona për Perëndinë. Kjo ishte prirja e “superapostujve”, të cilëve Pali iu referua te II Korintasve 12:11. Ata dukeshin si shumë të fuqishëm, plot histori për të treguar se si ishin mbushur me fuqinë e Frymës. Por Pali thjesht u përgjigj: “Njëmend, edhe po të doja për t’u mburrur, nuk do të isha i marrë, sepse do të thosha një të vërtetë, por po kursehem, që të mos mendojë ndokush për mua përtej asaj çfarë më sheh apo dëgjon prej meje” (v. 6). Ai e kuptoi që përulësia, dobësia dhe pamjaftueshmëria janë të gjitha çelësa për të qenë i dobishëm në mbretërinë e Perëndisë.
Kjo është arsyeja pse Perëndia e zvogëloi më tej ushtrinë e Gedeonit në vetëm treqind burra (Gjyqtarët 7:7). Ai do të përmbushte planin e Tij me kaq pak njerëz, saqë, kur fitorja të vinte, të gjithë do ta dinin se cili ishte burimi i saj. Në dashamirësinë e Tij, Perëndia e bën këtë edhe për ne sot. Ai na kujton se ata që, në sytë e botës, nuk janë në lartësinë e detyrës, në fakt, janë më të dobishmit për planin dhe qëllimin e Tij — sepse atëherë është e qartë se kjo është puna e Tij dhe jo e tyrja. Nëse dëshironi të mbaheni pas krenarisë dhe varësisë te vetja juaj, ky është një lajm i keq për ju. Nëse dëshironi të merrni lëvdata, atëherë ky është një lajm i keq për ju. Megjithatë, është një lajm i mahnitshëm nëse e dini se jeni të papërshtatshëm për detyrat që Perëndia ju vë përpara. Për cilat nga gjërat me të cilat po ballafaqoheni ndiheni se jeni krejt të paaftë për t’i trajtuar? Mbështetuni tek Ai dhe ecni përpara me bindje. Atëherë do të zbuloni se fuqia e Tij shfaqet në dobësinë tuaj (II Korintasve 12:9-10) — dhe do ta lavdëroni Atë edhe më shumë.
