spurgeon dev 29 dhjetor pm
December 2023

“Ç’mendoni ju për Krishtin?”

Mateu 22:42

Nuk ka test më të mirë për shëndetin e shpirtit sesa pyetja: Ç’mendoni ju për Krishtin? A është Ai vallë miku yt më i mirë—Ai që “dallon ndër dhjetë mijë veta” (Kënga e Këngëve 5:10)—dhe Ai që është për ty gjithçka dhe në çdo gjë? Sa herë që Krishti vlerësohet kaq shumë, të gjitha gjymtyrët e njeriut frymëror marrin energji. Mund ta gjykoj perëndishmërinë tënde me anë të këtij standardi: Çfarë vendi zë Krishti në jetën tënde: vendin e parë apo të fundit? Nëse nuk e ke vlerësuar shumë Krishtin, nëse je kënaqur të jetosh pa praninë e Tij, nëse nuk e ke vrarë shumë mendjen për nderin e Tij, nëse i ke shpërfillur ligjet e Tij, atëherë e di se shpirti yt është i sëmurë—dashtë Perëndia që kjo të mos jetë një sëmundje për vdekje!

Mirëpo, në qoftë se mendimi i parë i shpirtit tënd ka qenë: Si mund ta nderoj Jezusin?—në qoftë se dëshira e përditshme e shpirtit tënd ka qenë: “Ah, sikur të dija ku ta gjeja!” (Jobi 23:3), atëherë dije se, edhe sikur të përballesh me një mijë dobësi dhe madje edhe në mos e ditsh nëse je fëmijë i Perëndisë apo jo, nuk kam asnjë pikë dyshimi që je shëndoshë e mirë, meqë ke vlerësim të lartë për Jezusin.

Nuk e vras shumë mendjen për rreckat e tua, por më intereson se ç’mendim ke për petkat e Tij mbretërore? Nuk e vras shumë mendjen për plagët e tua, megjithëse kullojnë gjak si përrenj, por më intereson se ç’mendon për plagët e Tij? A i çmon ato pika gjaku si rubinë vezullues? Nuk do të të vlerësoja më pak edhe sikur të dergjeshe si Llazari majë plehrave dhe të të lëpinin qentë—nuk të gjykoj duke u nisur nga varfëria jote, por për atë se ç’mendim ke për më të bukurin Mbret? A është ulur Ai vallë mbi fronin e zemrës sate? Po të mundje, a do ta ngjitje vallë në ndonjë fron më të lartë? Sikur të kishe mundësi, a do të ishe gati ta jepje jetën veç t’i shtoje një trumbetë tjetër vargut të veglave frymore që i thurin lavde Atij? Nëse është kështu, gjërat po të shkojnë mirë. Në qoftë se Krishti është madhështor në mendimet e tua, pavarësisht se çfarë mendimi mund të kesh për veten, në fund do të jesh me Të.

Edhe sikur bota t’tallet me zgjedhjen time,
Jezusi do t’mbetet pjesa ime;
Sepse askush tjetër s’më kënaq,
Më i bukuri ndër të bukurit Ai është ndërkaq.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin