Shkurt 2022
Pali këtu mund të kishte thënë: “Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë?” dhe pastaj të përgjigjej: “Askush! Ne jemi drejtësuar.” Kjo është e vërtetë, por nuk është ajo që Pali tha. Përkundrazi, përgjigjja e tij është: “Perëndia është ai që i drejtëson.”
Theksi nuk është mbi veprimin, por mbi Atë që vepron.
Pse? Sepse në botën e gjykatave dhe ligjeve nga vjen kjo lloj gjuhe, shfajësimi nga një gjyqtar mund të shfuqizohet nga një gjyqtar më i lartë.
Pra, po sikur të shfaqjësohesh nga një gjykatës lokal, kur në fakt je fajtor, por guvernatori ka të drejtën që të të akuzojë? Po sikur gjykatësi të të shfajësojë, kur në fakt je fajtor, por perandori mund të të akuzojë?
Ja cila është ideja: Nuk ka asnjë gjykatë më të lartë se Perëndia. Nëse Perëndia është Ai që ju drejtëson—Ai që ju shpall të drejtë para syve të Tij—askush nuk mund ta apelojë dot këtë vendim; askush nuk mund të kapet pas ndonjë hollësie të ligjit; askush nuk mund të kërkojë një gjyq tjetër; askush nuk mund të kërkojë dot akuza të tjera kundër teje. Vendimi i Perëndisë është përfundimtar dhe i plotë.
Dëgjojeni këtë, të gjithë ju që besoni në Jezusin, që jeni bashkuar me Krishtin dhe keni treguar që jeni mes të zgjedhurve: Perëndia është Ai që të drejtëson; jo një gjykatës njerëzor, jo një profet i madh, jo një kryeengjëll nga qielli. Por Perëndia, Krijuesi i botës dhe Zotëruesi i të gjitha gjërave, Sundimtari i gjithësisë dhe i çdo molekule e personi në Të, Perëndia është Ai që të drejtëson.
Ideja është kjo: siguria e patundshme përballë vuajtjes së jashtëzakonshme. Nëse Perëndia është për ne, askush nuk mund të jetë kundër nesh në mënyrë të suksesshme. Nëse Perëndia dha Birin e Tij për ne, Ai do të na japë gjithçka që është e mirë për ne. Nëse Perëndia është Ai që na drejtëson, asnjë akuzë kundër nesh nuk mund të qëndrojë.
John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022