prill 28

Prill 2022


Ne kemi nevojë për drejtësi që të jemi të pranueshëm për Perëndinë, por nuk e kemi atë. Ne kemi mëkatin.

Prandaj, Perëndia ka atë që ne kemi nevojë, por që nuk e meritojmë—drejtësinë. Ne kemi atë që Perëndia e urren dhe e refuzon—mëkatin. Cila është zgjidhja e Perëndisë për këtë situatë?

Zgjidhja e Tij është Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, i cili vdiq në vendin tonë dhe mbarti dënimin tonë. “Perëndia, duke dërguar birin e tij në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish” (Romakëve 8:3). Mishi i kujt e mbarti dënimin? Mishi i Tij. Mëkatet e kujt u dënuan? Mëkatet tona. Ky është shkëmbimi i madh. Ja ku thuhet sërish te 2 e Korintasve 5:21: “Sepse atë, që nuk njihte mëkat, e bëri mëkat për ne, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.”

Perëndia i vendos mëkatet tona mbi Krishtin dhe i ndëshkon ato në Të. Dhe në vdekjen e bindur të Krishtit, Perëndia përmbush dhe lartëson drejtësinë e Tij dhe na e llogarit neve. Mëkati ynë vendoset mbi Krishtin; drejtësia e Tij vendoset mbi ne.

Vështirë se e mbitheksojmë faktin që Krishti është zgjidhja e Perëndisë për problemin tonë më të madh. E gjithë kjo është për hir të Krishtit.

Vështirë se mund ta duash Krishtin më tepër se ç’duhet. Vështirë se mund të mendosh për Të më tepër se ç’duhet, ose ta falënderosh Atë më tepër se ç’duhet, apo të mbështetesh tek Ai më tepër se ç’duhet. E gjithë falja jonë, i gjithë shfajësimi ynë, e gjithë drejtësia jonë është në Krishtin.

Ky është ungjilli—është lajmi i mirë se mëkatet tona janë vendosur mbi Krishtin dhe drejtësia e Tij është vendosur mbi ne, dhe ky shkëmbim i madh bëhet i yni, jo me anë të veprave, por vetëm nëpërmjet besimit. “Sepse, me anë të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit; dhe kjo jo prej jush, por është dhurata e Perëndisë, jo prej veprave, që askush të mos mburret” (Efesianëve 2:8-9).

Ky është lajmi i mirë, që heq barrët, jep gëzim dhe të forcon.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia