maj 28

Maj 2022


Historia e Jozefit, te Zanafilla 37-50, është një mësim i madh se përse duhet të kemi besim në hirin e ardhshëm dhe sovran të Perëndisë.

Jozefi u shit si skllav nga vëllezërit e tij, gjë e cila duhet ta ketë sprovuar thellësisht durimin e tij. Por atij iu dha një punë e mirë në shtëpinë e Potifarit në Egjipt. Pastaj, kur ai vepron me ndershmëri në vendin e paplanifikuar të bindjes, gruaja e Potifarit gënjen në lidhje me integritetin e tij dhe bën që atë ta fusin në burg—një sprovë tjetër e durimit të tij.

Gjithsesi gjërat dalin sërish për mirë dhe rojtari i burgut i jep atij përgjegjësi dhe i tregon respekt. Por kur ai mendon se do të ndihmohet nga kupëmbajtësi i Faraonit, ëndrrën e të cilit ai e kishte interpretuar, kupëmbajtësi e harron për dy vite të tjerë. Kjo ishte një sprovë tjetër e dhimbshme e durimit të tij.

Më në fund, kuptimi i të gjitha këtyre devijimeve dhe vonesave bëhet i qartë. Jozefi lartësohet për t’u bërë udhëheqës i Egjiptit, i dyti pas Faraonit. Përfundimi është që ai i shpëton nga uria po ata vëllezër që e kishin shitur në skllavëri. Jozefi u thotë vëllezërve të tij nga të cilët ishte ndarë për një kohë të gjatë: “Perëndia më ka dërguar para jush, me qëllim që të ruhet diçka mbi tokë dhe për t’ju shpëtuar jetën... Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë” (Zanafilla 45:7; 50:20).

Cili mund të ketë qenë çelësi i durimit për Jozefin gjatë atyre viteve të gjata mërgimi dhe abuzimi? Përgjigjja është kjo: besimi në hirin e ardhshëm dhe sovran të Perëndisë—në hirin sovran të Perëndisë për ta kthyer vendin dhe ritmin e paplanifikuar në fundin më të lumtur që mund të imagjinohet.

Ky është gjithashtu çelësi i durimi tonë. A besojmë se Perëndia po punon për ne në kthesat më të çuditshme dhe më të dhimbshme të jetës tonë?


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia