27 Maj 2026

“…të flesh pakëz, të dremitësh pakëz, të rrish pakëz me duar në ijë për të pushuar, kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.” FJALËT E URTA 24:33-34

Të gjithë e kemi parë. Në botën e sportit, të biznesit dhe në atë akademike, individët më pak të talentuar shpesh kanë më shumë sukses sesa ata me aftësi më të mëdha, për shkak të një tipari: zellit.

Njerëz të tillë janë të gatshëm për ta marrë seriozisht sfidën e përtacisë dhe për të bërë atë që duhet për ta kapërcyer joshjen e saj. Ka të ngjarë që ose jeni një prej tyre, ose aspironi dhe punoni për të qenë i tillë.

Mirëpo, nëse tregohemi të sinqertë me veten, i njëjti zell mungon shpesh edhe në jetën tonë frymërore.

Nëse ju dhe unë duam ta kundërshtojmë përtacinë frymërore, kemi nevojë për një lloj vlerësimi: A kemi ndonjë tregues se si po ecim? Kur reflektojmë për vitin e kaluar, a kemi korrur ndopak përparim? A kemi mësuar përmendsh ndonjë varg nga Bibla kohët e fundit? A i kemi përdorur “çastet e lira” për të lexuar apo për të medituar mbi fjalën, apo për t’iu lutur Zotit tonë? Apo mos vallë përtacia na ka shtyrë të bëjmë atë që është e lehtë dhe jo atë që është më e mira, duke na penguar që ta ruajmë fjalën e Perëndisë në zemrat tona?

Si reagojmë kur na kërkohet të marrim pjesë në shërbimin e krishterë? Ndoshta nuk është një refuzim i drejtpërdrejtë, por edhe një fije ngurrimi është një shenjë e rrezikshme. Po në rastin kur e dëgjojmë fjalën e Perëndisë të predikohet, kur ajo vjen te ne me fuqi dhe ndikim, dhe e dimë se ajo kërkon zbatim e ndryshim? A veprojmë ne si bërës të fjalës dhe jo vetëm si dëgjues të saj (Jakobi 1:22)?

Përgjigjet e tua për pyetje të tilla mund të të ndihmojnë të vazhdosh përpara dhe të shmangësh ndikimin e ngadaltë të përtacisë (të ndenjurit deri vonë në shtrat në vend të një kohe përkushtimi në mëngjes këtu, një serial në vend të një takimi lutjeje ose një ndeshje sportive në vend të një bisede për Jezusin atje), gjë që na çon në varfëri frymërore. Mos u bëj mjeshtër i punëve frymërore të papërfunduara dhe i qëllimeve të mira e të paplotësuara. Shpesh, të gjitha planet e nisura dhe shënimet e bukura, si dhe fjalët e shumta të pendimit dhe lutjet për ndihmë, humbasin në mendjen tonë ndërsa rrotullohemi në shtretërit tanë, “ashtu si lëviz porta në menteshat e saj” (Fjalët e Urta 26:14). Arratisu nga kjo sjellje dhe në vend të kësaj vrapo te Krishti, duke i kërkuar Atij që të ta trazojë zemrën dhe të të bëjë një burrë ose një grua veprimi.

A dëshiron të jesh i dobishëm për Perëndinë? A dëshiron të sjellësh një ndryshim: t’i arrish njerëzit në mes të dallgëve të jetës, në të gjitha problemet dhe zbrazëtinë e tyre, dhe të jesh pjesë e mjeteve me të cilat Perëndia ndërton kishën e Tij? Mos e lër pas dore shpirtin tënd, duke i lënë vend përtacisë. Pa pasur zell në marrëdhënien tënde me Perëndinë, nuk do të prodhosh asnjë fryt të vërtetë në jetën tënde. “Nesër” është fjala e parapëlqyer e djallit. “…tani është ‘kohë e pranueshme’; ja, tani është ‘ditë shpëtimi’!” (II Korintasve 6:2, theksimi i shtuar). Ji i dobishëm për Perëndinë tani.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

FJALËT E URTA 24:27-34