28 janar

Janar 2022


Ndjenja e paqartë dhe e keqe se ju jeni një person i pavlerë nuk është e njëjta gjë si bindja për mëkat. Të ndihesh si mos më keq për veten nuk është e njëjta gjë me pendimin.

Këtë mëngjes nisa të lutesha dhe u ndjeva i padenjë për të folur me Krijuesin e gjithësisë. Kjo ishte një ndjesi e paqartë padenjësie. Prandaj ia thashë këtë Atij. Po tani?

Asgjë nuk ndryshoi derisa nisa të tregohesha më specifik për mëkatet e mia. Të ndihesh keq mund të jetë gjë e dobishme, nëse kjo të çon në bindje për një mëkat specifik. Sidoqoftë, ndjenjat e paqarta të të qenët një person i keq, zakonisht nuk janë shumë të dobishme.

Mjegulla e padenjësisë duhet të marrë trajtë në kolonat e qarta dhe të zymta të mosbindjes. Atëherë, ju mund t’i rrëfeni ato, të pendoheni për to, të kërkoni falje dhe pastaj t’i vendosni në shënjestër për t’i bërë copë e thërrime me bazukën e ungjillit.

Kështu fillova të kujtoja urdhërimet, të cilat i shkel shpesh. Këto janë ato që më erdhën në mendje:

  • Duaje Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tënde. Jo 95%, por 100%. (Mateu 22:37)
  • Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Dëshiro aq fort që gjërat të shkojnë mirë për të, aq sa dëshiron edhe për gjërat e tua. (Mateu 22:39)
  • Bëji të gjitha gjërat pa u ankuar. Pa ankesa—brenda dhe jashtë. (Filipianëve 2:14)
  • Hidhe gjithë merakun tënd mbi të—që të mos të të rëndojë më. (1 e Pjetrit 5:7)
  • Thuaj vetëm gjëra që u japin hir të tjerëve—sidomos atyre që janë më afër teje. (Efesianëve 4:29)
  • Shfrytëzoje kohën! Mos i harxho kot minutat. (Efesianëve 5:16)

Kaq e patën edhe pretendimet për një shenjtëri të madhe! Mora fund!

Kjo është shumë më keq se ndjenjat e paqarta të keqardhjes. Ah, por tani armiku është bërë i dukshëm. Mëkatet janë specifike. Ato janë nxjerrë në dritë, tani i shoh në sy. Nuk po ankohem se ndihem si mos më keq. Po i kërkoj falje Krishtit që nuk kam bërë gjërat specifike që Ai më ka urdhëruar t’i bëj.

Jam i thyer përbrenda, jam i zemëruar me mëkatin tim. Dua që të vras mëkatin dhe jo veten. Nuk kam mendime vetëvrasjeje. Jam dikush që e urren mëkatin dhe që e vret atë. (“Vrisni, pra, gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë,” Kolosianëve 3:5, “I vrisni veprat e trupit” Romakëve 8:13.) Unë dua të jetoj. Prandaj jam vrasës—vrasës i mëkatit tim!

Në mes të këtij konflikti, dëgjoj premtimin: “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 e Gjonit 1:9). Atëherë, vjen paqja.

Tani, lutja më duket sërish e mundur, e drejtë dhe e fuqishme.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia