“Por Noeu gjeti hir në sytë e ZOTIT.” ZANAFILLA 6:8
Noeu, siç e imagjinojnë zakonisht njerëzit, ishte një gjigant frymëror, një hero i besimit. Mirëpo, në të vërtetë, ai ishte thjesht një njeri i zakonshëm. Ai ishte si gjithë njerëzit e tjerë ndërsa bënte punët e përditshme, fitonte bukën e gojës dhe rriste fëmijët e tij.
Para se të shpaloset historia e Noeut, na thuhet se “ZOTI pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë. Dhe ZOTI u pendua që e kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemrën e vet” (Zanafilla 6:5-6). Këtu nuk bëhet asnjë dallim. E gjithë raca njerëzore, pa përjashtim, ishte përfshirë në paudhësi — përfshirë këtu edhe Noeun.
Ideja është e qartë: Të gjithë kishin mëkatuar. Të gjithë ishin tëhuajtur nga Perëndia. Të gjithë duhej të përballeshin me gjykimin. “Por Noeu…” Për shkak të hirit të Perëndisë, realiteti i mëkatit dhe i gjykimit gjithmonë zbutet nga një “por” hyjnore. Hiri i Perëndisë, i pashpjeguar dhe i pamerituar, iu dha Noeut. Kjo ishte gjëja e vetme që më në fund e dalloi atë nga pjesa tjetër e njerëzimit. Perëndia e zgjodhi Noeun dhe familjen e Tij që të ishin marrësit e hirit të Tij, duke themeluar me të një marrëdhënie që nuk ekzistonte më parë. Për shkak të këtij hiri, Noeu u bë “një njeri i drejtë” që “eci me Perëndinë” (Zanafilla 6:9).
Noeu nuk kishte të drejtë të priste ndonjë gjë nga Perëndia. Duke mos pasur asnjë virtyt nga ana e tij, dhe kundër çdo gjase, Perëndia thjesht ndërhyri në jetën e Noeut.
Shumë njerëz kanë përshtypjen se hiri nuk gjendet në Besëlidhjen e Vjetër — se, në ditët e lashtësisë, gjithçka ishte vetëm zjarr dhe squfur, ligj dhe gjykim, dhe se hiri u shfaq vetëm me ardhjen e Jezusit. Megjithatë, realiteti është që hiri jo vetëm që e paraprin krijimin, por, gjithashtu, shpaloset në mes të gjykimeve gjatë gjithë historisë dhe në çdo faqe të Biblës.
Hiri shpaloset në të gjithë Biblën. Noeu ndërtoi një arkë duke iu bindur fjalës së Perëndisë atëherë kur ajo fjalë ishte gjithçka që ai kishte. Kur e përjetojmë hirin në gjithë plotësinë e tij, ai na përul ne dhe lartëson Perëndinë. Ai na bën të kuptojmë që jeta ka të bëjë vetëm me Të dhe me mirësinë e Tij ndaj nesh. Hiri na shtyn që t’i besojmë fjalës së Tij dhe t’u bindemi urdhërimeve të Tij.
Gjëja e vetme që të dallon ty nga kultura përreth teje është e njëjta gjë që e dalloi edhe Noeun nga njerëzit e kohës së tij: favori i pamerituar dhe i jashtëprirë i Perëndisë. Prandaj, ruhu nga krenaria frymërore po aq sa edhe nga kompromisi me botën. Asnjëri prej nesh nuk është aq i zgjuar, sa ta rrokë idenë e shpëtimit, ose aq i mirë, sa ta meritojë gëzimin e shpëtimit. Ti dhe unë nuk jemi të denjë — e megjithatë, Perëndia ka ndërhyrë. Vetëm kur hiri i Perëndisë të na i mbërthejë zemrat, ne do të jemi në gjendje, ashtu si Noeu, që të ecim në udhën e Krijuesit tonë dhe jo në udhën e botës, dhe të jetojmë me përulësi plot bindje dhe me një shpresë të sigurt. Vetëm hiri e ka këtë efekt.
