prill 27

Prill 2022


A mund ta dëgjosh Jezusin duke kënduar?

A ishte bas apo tenor? A kishte ndonjë tingull kumbues zëri i Tij? Apo mos kishte ndonjë intonacion të përpiktë?

A i mbylli Ai sytë t’i këndonte Atit? Apo i shihte dishepujt në sy dhe buzëqeshte, për shkak të shoqërisë së ngushtë që kishin?

A e niste Ai zakonisht këngën? Apo e niste Pjetri, Jakobi, ose ndoshta Mateu?

Mezi po pres ta dëgjoj Jezusin të këndojë! Mendoj se planetët do të dilnin nga orbitat e tyre, nëse Ai do të bënte t’i dëgjohej zëri në gjithësinë tonë, por ne kemi një mbretëri që s’mund të lëkundet; prandaj, Zot, vazhdo! Këndo!

Nuk ka si të jetë ndryshe. Krishterimi është një besim që këndon. Themeluesi i tij këndoi. Ai mësoi të këndonte nga Ati i Tij. Është e sigurt që ata kanë kënduar bashkë që nga përjetësia. A nuk mendon kështu? A nuk do të këndonte lumturia e përjetshme dhe e pafundme në bashkësinë e Trinitetit?

Bibla thotë se synimi i të kënduarit tonë është “për të pasur tinguj gëzimi” (1 i Kronikave 15:16). Askush tjetër në gjithësi nuk ka më tepër gëzim se Perëndia. Ai është pafundësisht i gëzuar. Ai ka gëzuar që nga përjetësia në panoramën e përsosmërive të Tij të reflektuara përsosmërisht në hyjninë e Birit të Tij.

As që mund ta përfytyrojmë sa i fuqishëm është gëzimi i Perëndisë. Ai është Perëndia. Kur Ai flet, galaktikat vijnë në ekzistencë. Dhe kur Ai këndon me gëzim, çlirohet më tepër energji nga sa ekziston në gjithë materien dhe lëvizjen e gjithësisë.

Nëse Perëndia ka caktuar këngën si një mënyrë për të çliruar kënaqësinë tonë në Të, a nuk është kjo sepse Ai gjithashtu e njeh edhe gëzimin e çlirimit të kënaqësisë së zemrës së Tij në shëmbëllimin e Vet te Biri i Tij përmes Frymës, në këngë? Ne jemi një popull që këndon, sepse jemi fëmijët e një Perëndie që këndon.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia