“…ata e çuan, dhe i thanë: ‘Mësues, nuk merakosesh ti që po humbasim?’.
Dhe si u zgjua, qortoi erën dhe i tha detit: ‘Hesht! Pusho!’. Dhe era ra,
dhe u bë bunacë e madhe. Dhe u tha atyre: ‘Pse jeni frikacakë?
Ende nuk keni besim?’.” MARKU 4:38-40
Kur stuhia po vlonte dhe dishepujt u frikësuan, Jezusi shfaqi jo vetëm paqe, por edhe durim në reagimin e Tij ndaj tyre.
Ata e kishin akuzuar Jezusin se nuk po merakosej që ata po humbisnin. Megjithatë, qortimi i Tij nuk ishte ndaj tyre, por ndaj erës dhe valëve. Kjo është e jashtëzakonshme! Asnjë mësues nuk kishte pasur nxënës kaq të mefshtë sa Jezusi — e megjithatë, nuk ka pasur nxënës të tjerë që të kenë pasur një mësues më të duruar dhe më falës sesa ata.
Edhe pse durimi i Jezusit u tregua në këtë rast, sigurisht që ai nuk ishte ekskluziv vetëm për të. Gjatë gjithë shërbesës së Tij, Jezusi tregoi vazhdimisht durim kur reagoi ndaj ndjenjave dhe dështimeve të dishepujve të Tij. Te Marku 6, pasi Jezusi kishte ushqyer pesë mijë veta me pesë bukë dhe dy peshq, dishepujt dyshuan kur e panë duke ecur mbi ujë, e megjithatë, Ai u përgjigj me dashuri: “…Kurajë! Unë jam, mos u frikësoni!” (Marku 6:50). Më vonë, Jezusi i udhëzoi vazhdimisht në lidhje me domosdoshmërinë dhe qëllimin e vdekjes së Tij, pavarësisht nga fakti që ata nuk ishin të përulur dhe as nuk e kuptonin (8:31-33; 9:30-32; 10:32-34). Pasi Jezusi u ringjall, Ai as që i qortoi dishepujt që u befasuan nga ringjallja, për të cilën Ai u kishte paratreguar. Përkundrazi, me gëzim dhe qetësi, Ai u bëri pyetje që i nxitën të mendonin dhe ua zbuloi identitetin e Tij të vërtetë.
Besimin tonë të dobët e shohim të reflektuar te dishepujt. Nëse do të kishim qenë me ta, ka të ngjarë që edhe ne do të ishim fshehur nga frika dhe do t’i kishim shprehur dyshimet dhe akuzat tona ndaj Jezusit. Megjithatë, edhe sot Krishti vazhdon të tregohet i duruar në frikërat dhe dyshimet tona. Ai nuk na hedh poshtë për shkak të një çasti mosbesimi. Ai nuk na braktis për shkak të frikës sonë. Nuk ka asnjë mësues tjetër si Ai. Prandaj, si përfitues të durimit të madh të Krishtit, le të tregojmë të njëjtin durim ndaj të tjerëve. Nëse je prind, trajner, menaxher, udhëheqës shërbese, mësues ose thjesht mik, kujto shembullin e Jezusit. Nëse duam që Perëndia ta tolerojë besimin tonë të lëkundur, atëherë edhe ne duhet të përpiqemi të tregojmë të njëjtin durim ndaj të tjerëve dhe ndaj vetes.
Megjithatë, mbi gjithçka tjetër, ne nuk jemi thirrur që të ndjekim shembullin e Jezusit, por që të kënaqemi me përsosmëritë e Tij. Durimi i Tij nuk do të mbarojë kurrë. Ai nuk i shpërfill dhe as nuk i braktis kurrë ata që janë nën kujdesin e Tij. Mëkatet dhe përleshjet tuaja nuk mund ta shtyjnë dot Atë përtej caqeve të durimit të Tij. Ai do të tregohet i duruar me ty sot. Ai është Shpëtimtari yt, Shpenguesi yt, Mësuesi yt gjithmonë i duruar — Jezusi yt.
