26 shkurt

Shkurt 2022


I gjithë zemërimi i Perëndisë, i gjithë dënimi që ne meritojmë, u derdh mbi Jezusin. Të gjithë kërkesat e Perëndisë për drejtësi të përsosur u përmbushën nga Krishti. Në çastin kur ne (përmes hirit!) e shohim këtë Thesar dhe e pranojmë si të tillë, vdekja e Tij vlen si vdekja jonë, dënimi i Tij vlen si dënimi ynë, drejtësia e Tij vlen si drejtësia jonë. Në atë çast, Perëndia bëhet pakthyeshmërisht dhe përjetësisht 100% për ne.

Pyetja që mbetet pa përgjigje është: “A nuk na mëson Bibla që Perëndia e vendosi favorin e Tij mbi ne, duke na zgjedhur që nga përjetësia?”

Me fjalë të tjera, njerëzit që mendojnë thellë për këtë pyesin: “A u bë Perëndia 100% për ne vetëm në çastin e besimit dhe drejtësimit kur u bashkuam me Krishtin? A nuk u bë ai 100% për ne në aktin e zgjedhjes që para themelimit të botës?” Tek Efesianëve 1:4-5, Pali thotë: “Sikurse [Perëndia] na zgjodhi në të [Krishtin] përpara themelimit të botës, që të jemi të shenjtë dhe të patëmetë përpara tij në dashuri, duke na paracaktuar për birësim për veten e tij me anë të Jezu Krishtit.”

Prandaj, a nuk është Perëndia 100% për të zgjedhurit që nga përjetësia? Përgjigjja varet nga kuptimi i termit “100%”.

Me termin “100%”, unë po përpiqem të ruaj një të vërtetë biblike, e cila gjendet në disa pjesë të Shkrimit. Për shembull, tek Efesianëve 2:3, Pali thotë se të krishterët ishin “bij të zemërimit”, para se të bëheshin të gjallë në Krishtin Jezus: Ndërmjet të cilëve, edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar vullnetet e mishit dhe të mendjes; dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, si edhe të tjerët.”

Pali po thotë se, para lindjes tonë të re—para se të bëheshim të gjallë bashkë me Krishtin—zemërimi i Perëndisë ishte mbi ne. Të zgjedhurit ishin nën zemërim. Kjo ndryshoi kur Perëndia na dha jetë në Krishtin Jezus dhe na zgjoi për të parë të vërtetën dhe bukurinë e Krishtit që ta pranojmë atë si Ai që vdiq për ne dhe si Atë, drejtësia e të cilit llogaritet si drejtësia jonë për shkak të bashkimit tonë me Të. Para se kjo gjë të na ndodhte, ne ishim nën zemërimin e Perëndisë. Pastaj, për shkak të besimit në Krishti dhe bashkimit me Të, i gjithë zemërimi i Perëndisë u hoq dhe atëherë, në kuptim të plotë, Perëndia u bë 100% për ne.

Prandaj, ngazëllohu në të vërtetën që Perëndia do të të mbajë. Ai do të të çojë deri në fund, sepse në Krishtin, Ai është 100% për ty. Prandaj, arritja deri në fund nuk e bën Perëndinë të jetë 100% për ty, por është efekti i faktit që Ai tashmë është 100% për ty.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia