26 Qershor 2026

“Mendoni të njëjtën gjë për njëri-tjetrin…”
ROMAKËVE 12:16

Kërkohet aftësi dhe perëndishmëri për të mos u pajtuar me dikë me dashamirësi. Është e lehtë të shkosh mirë me njerëz me të cilët kemi gjithçka të përbashkët, ku nuk ka shqetësime për mosmarrëveshje. Por të jetosh në harmoni me njerëz që duken ndryshe dhe që jetojnë ndryshe nga ne — kjo është një shenjë e vërtetë e pjekurisë së krishterë. Prandaj, pritshmëria e apostullit Pal është që ne si të krishterë të bëjmë përpjekje për të bërë pikë- risht këtë.

Thirrja e Palit për të menduar të njëjtën gjë, nuk është një thirrje për një lloj uniformiteti, ku të gjithë ne vishemi njësoj, veprojmë njësoj, votojmë njësoj dhe flasim njësoj. Në të vërtetë, kisha në Romë ishte me siguri një grup i larmishëm njerëzish, me prejardhje dhe dhunti të ndryshme. Pali theksoi se këto dallime nuk duhet të bëheshin burim ndarjeje ose turpi.

Siç e përkthen këtë varg versioni ESV, dëshira e Palit për kishën romane ishte kjo: “Jetoni në harmoni me njëri-tjetrin.” Në të njëjtën mënyrë, ai u bëri thirrje edhe korintasve: “… nëpërmjet emrit të Zotit tonë Jezu Krisht, që të flisni të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë me të njëjtën mendje dhe me të njëjtin qëllim” (I Korintasve 1:10).

Ungjilli nuk i fshin dallimet apo mosmarrëveshjet tona. Në fakt, uniteti që populli i Perëndisë përjeton në gjërat kryesore — në ungjillin e Krishtit dhe në të vërtetën e fjalës së Tij — na liron të pranojmë dallimet dhe mosmarrëveshjet tona për çështje dytësore. Uniteti i krishterë, në fund të fundit, nuk qëndron në politikën tonë, në pozitën tonë shoqërore ose në ngjyrën që mendojmë se duhet të jetë tapeti, por tek Ai që ne e dimë se është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6).

Fatkeqësisht, kishat mund të shpërqendrohen nga mosmarrëveshjet e tyre dhe të krish terët mund t’i lartësojnë shumë shqetësimet dhe parapëlqimet e tyre personale. Disa prej nesh e trajtojnë çdo çështje si arsye për t’u ndarë, dhe kështu ne bëhemi legalistë, duke u marrë me vogëlsira dhe duke mos qenë kurrë të lumtur derisa të jemi në një kishë uniforme. Disa prej nesh e kanë të vështirë ta bëjnë një çështje të caktuar pikën mbi të cilën do të qëndrojnë dhe për të cilën të mos bëjnë kompromis, dhe kështu ne bëhemi liberalë teologjikë, duke lejuar që të vërtetat qendrore të ungjillit të bëhen të negociueshme. Harmonia për të cilën Pali na thërret të luftojmë, është harmonia e ungjillit. Ne duhet ta njohim veten mjaft mirë, për të dalluar nëse jemi të prirur për t’u bërë legalistë apo liberalë. Ne duhet t’i kërkojmë Perëndisë që të na japë qartësi në mendime dhe dashuri hyjnore në zemër ndaj vëllezërve dhe motrave tona në Krishtin. Pastaj, ne duhet të kalojmë disa çaste duke shqyrtuar zemrat tona dhe duke parë nëse ka ndonjë me të cilin nuk jemi dakord dhe të ndërmarrim hapa për ta nxitur, dhe jo për të prishur, harmoninë e ungjillit për të cilën Krishti vdiq që ne ta përjetojmë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

PSALMI 133