“Me anë të besimit Abrahami, kur u sprovua, ka ofruar Isakun; dhe ai që mori premtimet, po ofronte të vetmin bir ndaj të cilit u tha: ‘Në Isakun do të thirret për ty një pasardhje’.” HEBRENJVE 11:17-18
Jeta mund të na duket dërrmuese. Çdo ditë sjell sfida të reja, edhe pse të vjetrat vazhdojnë të pazgjidhura. Është e lehtë të lejojmë që besimi ynë të pengohet në gurin e mungesës së të kuptuarit të rrethanave tona — të marrim stafetën e besimit dhe, si të thuash, ta hedhim përtokë, duke thënë: “Kaq. Nuk mund të vrapoj më tej.” Në ato çaste, fjala e Perëndisë na inkurajon që të kujtojmë se besimi i krishterë është një besim i qëndrueshëm që mbetet i palëkundur. Ne mund të qëndrojmë të bindur ndaj urdhrave të Perëndisë edhe atëherë kur gjithçka rreth nesh duket sikur bie ndesh me atë që Ai ka premtuar.
Derisa arrijmë te kryqi, ndoshta askund tjetër në Shkrim nuk gjejmë një çast më dërrmues se ai në jetën e Abrahamit. Ishte një çast që ndodhi tërësisht me iniciativën e Perëndisë: “Dhe Perëndia tha: ‘Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun, shko në vendin e moriahëve dhe ofroje si holokaust në një nga malet që do të të tregoj’… Kështu arritën në vendin që Perëndia i kishte treguar dhe atje Abrahami ndërtoi altarin dhe rregulloi drutë; pastaj e lidhi Isakun, birin e tij, dhe e vendosi mbi altar sipër druve. Pastaj Abrahami shtriu dorën dhe mori thikën për të vrarë të birin” (Zanafilla 22:2, 9-10). Urdhri i Perëndisë drejtuar Abrahamit ishte i qartë — e megjithatë, dukej sikur binte ndesh me premtimin e Perëndisë se nëpërmjet pasardhësve të Abrahamit “tërë kombet e tokës” do të “[bekoheshin]” dhe se “nga Isaku do të [dilte] pasardhja që do të [mbante] emrin” e tij (v. 18; 21:12). Përmbushja e premtimeve të Perëndisë varej nga mbijetesa e Isakut. Nëse Isaku do të vdiste, si do të mund të përmbushej premtimi?
Sidoqoftë, Abrahami ende u bind. Edhe pse rrethanat e tij mund ta kishin shtyrë të dyshonte dhe ta vinte në pikëpyetje fjalën e Perëndisë, me anë të besimit Abrahami tha: Perëndia ka një plan në këtë gjë. Premtimi i tij është që nëpërmjet Isakut do të bekohen të gjitha kombet e tokës. Prandaj, Ai duhet ta ringjallë atë — do ta ringjallë prej të vdekurve (Hebrenjve 11:19). Ja pse më parë, ndërkohë që Abrahami ishte nisur për të kryer flijimin e urdhëruar, u kishte thënë shërbëtorëve të tij: “Rrini këtu bashkë me gomarin; unë dhe djali do të shkojmë deri atje dhe do të adhurojmë; pastaj do të kthehemi pranë jush” (Zanafilla 22:5, theksimi i shtuar). Çfarë shprehjeje besimi! Mos lejoni që kjo t’ju shpëtojë: kur Abrahamit iu dha urdhri, ai u bind. Megjithëse dukej sikur kjo binte drejtpërdrejt në kundërshtim me premtimet që kishte bërë Perëndia, Abrahami bëri atë që iu kërkua dhe vendosi t’ia linte Perëndisë të bënte të Tijën.
Kështu mund të veprojmë edhe ne. Pavarësisht se sa të frikshme mund të jenë rrethanat tuaja, mos lejoni që për shkak të tyre të dobësoni bindjen tuaj ose të vini në dyshim premtimet e Perëndisë. Shekuj pasi Abrahami dhe Isaku iu ngjitën këtij mali dhe zbritën prej tij, vetë Biri i Perëndisë u ngrit nga varri rrëzë të njëjtit mal, si dëshmia përfundimtare e së vërtetës që Perëndia i mban premtimet e Tij. Prandaj, ti mund të përballesh me siguri, shpresë dhe lutje me çdo gjë që sjell e sotmja, duke thënë: “Mund të vazhdoj. Nuk kam mbaruar. Perëndia do të bëjë pjesën e Tij, prandaj unë mund të bëj timen.”
