“Atëherë Marta i tha Jezusit: ‘Zot, sikur të ishe këtu, nuk do të kishte vdekur vëllai im, por edhe tani e di se gjithë sa t’i kërkosh Perëndisë, Perëndia do të t’i japë’. Jezusi i tha: ‘Vëllai yt do të ringjallet’. Marta i tha: ‘E di se do të ringjallet në ringjallje në ditën e fundit’. Jezusi i tha: ‘Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe po të vdesë, do të jetojë. Dhe kushdo që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë, përjetë. E beson këtë?’.” GJONI 11:21-26
Askush nga ne nuk e di se çfarë do të sjellë një ditë e re. Në të vërtetë, të gjithë ne jetojmë me një masë të caktuar pasigurie; nuk mund të jemi të përgatitur për çdo sprovë që na del përpara. Në fakt, siç e kanë theksuar shumë të tjerë, e vetmja siguri e jetës është se ajo do të marrë fund. Ne jetojmë në një botë të rënë dhe e dimë se “pagesa e mëkatit është vdekja” (Romakëve 6:23). Prandaj, vdekja është një realitet për të cilin duhet të përgatitemi.
Çdo mendim për vdekjen dhe çastin e vdekjes që nuk u kushton vëmendje të veçantë fjalëve të Jezusit, është i paplotë. Prandaj, një vend shumë i mirë për të filluar, është udhëzimi i fortë që dha Jezusi menjëherë pas vdekjes së mikut të tij, Llazarit.
Kuptohet që motrat e Llazarit, të cilat po vajtonin, ishin thellësisht të shqetësuara për atë që i kishte ndodhur vëllait të tyre. Si përgjigje, Jezusi tha se Llazari do të ringjallej përsëri. Marta, duke mos e kuptuar plotësisht këtë deklaratë, tha: “E di se do të ringjallet në ringjallje në ditën e fundit.” Në atë çast, Jezusi e çoi bisedën një hap më tej, duke i thënë: “Unë jam ringjallja dhe jeta.”
Dhe pastaj erdhi sfida për Martën: “E beson këtë?”.
Përgjigjja juaj ndaj kësaj pyetjeje ndikon mënyrën se si jetoni, por edhe mënyrën se si përballeni me vdekjen. Jezusi jo vetëm që e ka mposhtur vdekjen, por, gjithashtu, hapi një udhë që edhe ju ta mposhtni atë. Edhe pse trupi juaj fizik do t’ju lërë në baltë, nëse besoni se Jezusi është ringjallja dhe jeta, vdekja bëhet thjesht një kapërcim, një kalim nga një sferë e jetës në tjetrën.
Një nga sfidat me të cilën përballen besimtarët kur bëhet fjalë për vdekjen, nuk është thjesht që të përgatitemi për ardhjen e saj të shpejtë, por edhe që të mësojmë se si t’i ndihmojmë të tjerët për t’u përballur me të. Megjithatë, pavarësisht nga situata, fjalët e Jezusit sigurojnë themelin për këshilla të dashura. Ne duhet të flasim si në mënyrë biblike, ashtu edhe me ndershmëri, duke e shpjeguar realitetin e përjetësisë dhe shpresën që gjendet tek Ai. Fjalët tona, që u bëjnë jehonë fjalëve të Krishtit, nuk duhet të jenë të vrazhda apo pa ndjeshmëri, por të mbushura me urtësi dhe hir.
Ju nuk mund ta dini se si të jetoni, derisa të keni sqaruar çështjen se si të vdisni. E nesërmja nuk i është premtuar asnjërit prej nesh, por përjetësia është e garantuar për çdo ndjekës të Atij që është ringjallja dhe jeta. Ti mund ta përgatitësh veten — miqtë dhe të dashurit e tu — që të përballeni me ditën e vdekjes me qetësi dhe besim, dhe jo me frikë e pasiguri, duke i mbajtur afër këto fjalë të çmuara: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe po të vdesë, do të jetojë. Dhe kushdo që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë, përjetë.” Po, ne e besojmë këtë.
