26 Korrik 2026

“Unë jam hardhia, ju shermendet. Ai që rri në mua dhe unë në të, ky jep shumë fryt; sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.”GJONI 15:5

Fotografët amatorë shpesh nuk e dinë se ku po e fokusojnë aparatin fotografik. Ata mendojnë që e dinë se ku po fokusohen — por më pas fotografitë përfundojnë me fytyra të paqarta dhe ndërtesa të shtrembëruara. Pastaj ata mund ta shohin punën e tyre dhe të thonë: “Kjo nuk është ajo që kisha në fokus!”. Por fakti është që fotot zbulojnë me saktësi se ku dhe si ishte pozicionuar lentja.

Në majat e jetës dhe në luginat e saj — dhe në çdo hap tjetër midis tyre — mënyra se si ju dhe unë reagojmë ndaj rrethanave zbulon këndin e lentes së kamerës sonë, si dhe fokusin e zemrës dhe të mendjes sonë. Prandaj, sfida për besimtarët është të jetuarit me një fokus që ka Perëndinë në qendër.

Jezusi e bëri shumë të qartë se, në mënyrë që ne të përqafojmë një fokus që ka Perën­dinë në qendër, së pari duhet të kuptojmë se kush jemi pa Të. Në fakt, Jezusi u shpjegoi dishepujve të Tij se, pa Të, ata nuk mund të bënin dot asgjë; në fund të fundit, “të gjitha qëndrojnë bashkë në të” (Kolosianëve 1:17). Nevoja jonë për Jezusin nuk është e pjesshme; ajo është tërësore. Në fakt, askush prej nesh nuk mund të marrë frymë pa na aftësuar Perëndia. Si mund të mendojmë vallë të marrim meritat për ndonjë punë që Ai ka bërë nëpërmjet nesh? Pa ndihmën hyjnore, ne jemi absolutisht skamës.

Ky parim gjendet në të gjithë Biblën. Moisiu, i zgjedhur nga Perëndia për ta nxjerrë popullin izraelit nga zgjedha dhe skllavëria, ishte i bindur se nuk mund ta bënte dot punën nëse Perëndia nuk ishte me të — dhe kishte të drejtë (Eksodi 3:11-12). Amosi ishte rritës fiqsh dhe bari; ai nuk kishte asgjë për të kontribuuar në shërbesë kur Perëndia e caktoi si profet (Amosi 7:14-15). Danieli, po ashtu, me aftësinë e tij të mahnitshme për të interpretuar ëndrrat, u tregua i shpejtë për t’ia dhënë të gjitha meritat Perëndisë (Danieli 2:26-28). Secili nga këta njerëz e kuptoi varësinë e tij të plotë te Perëndia. Në fakt, në Shkrim, askush nga ata që arritën gjëra të mëdha për Perëndinë, nuk e bëri këtë pa u mbështetur plotësisht te Perëndia. Për të qenë në gjendje që të bënin punën për të cilën ishin thirrur, ata e hodhën vështrimin lart drejt Perëndisë dhe jo përbrenda vetes.

Si të krishterë të thirrur për të jetuar me një fokus që ka në qendër Perëndinë, ne nuk duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje vetes ose aftësive tona, sepse duke e bërë këtë, ne mund ta errësojmë fare lehtë hirin dhe fuqinë e Perëndisë në jetën tonë. Në Krishtin, ne nuk duhet të mburremi me aftësitë tona ose të kërkojmë ndonjë mundësi për ta tërhequr vëmendjen te vetja. Përkundrazi, ne thjesht duhet të dëshirojmë të njihemi si shërbëtorë të Perëndisë të gjallë, të jemi të dobishëm në shërbimin e Tij, teksa Ai vepron në ne sipas qëllimit të Tij të mirë, dhe në gjithçka që bëjmë e themi, ta largojmë fokusin nga vetja dhe të tregojmë drejt Tij.

Ku do të jetë fokusi juaj sot? Kur suksesi ose lavdërimi të vijnë drejt jush, drejt kujt do të tregoni?

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17