“Njëmend, përllogaritni atë që ka duruar të tillë kundërshtim nga mëkatarët kundër vetvetes, që të mos lodheni duke u molisur në shpirtrat tuaja.” HEBRENJVE 12:3
A jeni tunduar ndonjëherë që të hiqni dorë nga besimi? Ndoshta gjatë një jave të vështirë, keni menduar për rrethanat tuaja dhe keni thënë: “Asgjë nga këto nuk po funksionon në dobinë time. Është koha ta harroj krishterimin dhe të jetoj si të tjerët.” Në çaste të tilla, është e lehtë të hedhim vështrimin përreth dhe të shohim miqtë, familjen dhe kolegët tanë jobesimtarë që jetojnë ndryshe, me më pak vështirësi dhe, në pamje të parë, duke u kënaqur. Vështrimet ziliqare lejojnë që dyshimi dhe zhgënjimi të depërtojnë dhe të na e vjedhin vendosmërinë për të qëndruar në shtegun e drejtë dhe të ngushtë.
Kjo ishte përvoja e psalmistit Asaf. Ai tha: “…gati-gati po më pengoheshin këmbët”, sepse “i kisha zili mburravecët, duke parë begatinë e njerëzve të këqij”, të cilët ishin “gjithnjë të qetë” (Psalmi 73:2-3, 12). Kjo, siç duket, ishte edhe përvoja e të krishterëve të cilëve iu drejtua shkrimtari i Hebrenjve. Atyre “ende” nuk u ishte dashur të derdhnin gjak, që të qëndronin të patundur në besim (Hebrenjve 12:4), por ishte e qartë se lufta kundër mëkatit brenda vetes dhe lufta për t’i bërë ballë kundërshtimit nga jashtë, po i dobësonin.
Çfarë duhet të bëjnë ata? Të përllogaritin Jezusin. Kundërhelmi biblik për zemërlëshuarjen dhe lodhjen është që ta ngulim shikimin drejt Atij që duroi armiqësinë — që duroi kryqin — me qëllim që të fitonte gëzimin që ishte para Tij (Hebrenjve 12:2).
Në një çast të caktuar të jetës sonë, të gjithë ne do të përballemi me vuajtje të padrejta nga fjalët, veprat ose rrethanat — dhe mund ta pranojmë se nuk duam të marrim ndonjë goditje në brinjë dhe as gjemba kërcinjve. Të gjithë ne do të përballemi me realitetin që ende nuk i kemi mposhtur mëkatet me të cilat kemi luftuar për vite me radhë. Të gjithë ne do të përballemi me ditë kur nuk duam ta vazhdojmë garën, kur tundohemi të dorëzohemi dhe ta braktisim atë. Çfarë duhet të bëni në ditë të tilla? Dëgjoni fjalën e Perëndisë që ju thotë: Përllogaritni Atë. Mendoni për jetën e Krishtit: si ishte ajo dhe ku e çoi. Ai e hapi portën e lavdisë; tani ne ecim në të njëjtin shteg pas Tij. Shikoni Jezusin, i cili e vrapoi këtë garë dhe tani është “ulur në të djathtë të fronit të Perëndisë” (Hebrenjve 12:2). Ditë pas dite, pavarësisht nëse shtegu shkon përpjetë apo duket sikur era fryn furishëm kundër nesh, ne përllogaritim Atë dhe “rendim me qëndrueshmëri garën që na parashtrohet” (v. 1).
