“Timoteut, birit të dashur: hir, mëshirë dhe paqe nga Perëndia Atë
dhe nga Krishti Jezus, Zoti ynë.” II TIMOTEUT 1:2
Mënyra se si Pali i referohet Timoteut në letrat e tij është e habitshme. Ai nuk e mban këtë djalosh të ri larg nga vetja; përkundrazi, Pali i drejtohet Timoteut si “birit të dashur”, “fëmija i tij në Zotin” dhe një “bashkëpunëtor” në shpalljen e ungjillit (II Timoteut 1:2; I Korintasve 4:17; Romakëve 16:21).
Fillimisht, ne mund të mos mendojmë që Timoteu ishte një zgjedhje e qartë për të qenë marrësi i fjalëve ose i letrave të Palit, të paktën jo nga këndvështrimi njerëzor. Ai nuk ishte i fortë apo i pjekur, në fakt, ishte relativisht i ri, i dobët fizikisht dhe i ndrojtur nga natyra — një djalë mjaft i turpshëm, i cili duhej të ishte dukur tepër i papërvojë për atë që po bënte. Kur ai shqetësohej, kjo gjë i shkaktonte probleme me stomakun (I Timoteut 5:23). Ai nuk ishte një kandidat i kalibrit të lartë. Në të vërtetë, kjo nuk është e pazakontë. Të tillë janë shumica e besimtarëve. Të tillë jemi unë dhe ti.
E megjithatë, Timoteu ishte njeri i Perëndisë.
Ai ishte njeri i Perëndisë, sepse Perëndia e kishte zgjedhur atë. Perëndia kënaqet të marrë burra dhe gra — përfshirë ata që janë relativisht të rinj, të dobët nga natyra, të brishtë fizikisht ose qartësisht të rezervuar — dhe të thotë: Kjo është ajo që kam planifikuar për ty. Ti je shërbëtori Im i zgjedhur për detyrën në të cilën të kam caktuar.
Ungjilltari i shekullit të 18-të, George Whitefield-i, u përdor nga Perëndia për të sjellë dhjetëra mijëra njerëz në besimin shpëtues. Megjithatë, ai ndihej i mbingarkuar nga pritshmëritë e shërbesës së tij. Njëherë, kur po shkonte për të predikuar në kapelën e Kullës së Londrës, Whitefield-i shkruan: “Ndërsa po ngjisja shkallët, thuajse të gjithë dukej se po më përqeshnin për shkak të moshës sime të re; por shumë shpejt u bënë seriozë dhe jashtëzakonisht të vëmendshëm.” Pse ndryshoi reagimi i dëgjuesve të tij? Përgjigjja është: thjesht se Whitefield-i, ashtu si Timoteu, ishte njeriu i zgjedhur i Perëndisë.
Sa shumë duhet ta ketë vlerësuar Timoteu përshëndetjen e Palit, gjë që i kujtoi atij burimet e tij! Perëndia e kishte shpenguar dhe caktuar Timoteun, dhe Ai do t’i jepte hir për sprovat, mëshirë për dështimet dhe paqe përballë rreziqeve dhe dyshimeve.
Për çfarë kemi nevojë ju dhe unë sot? Pikërisht për ato që i nevojiteshin edhe Timoteut: hir, mëshirë dhe paqe. Gjithçka që ishte në dispozicionin e Timoteut, është edhe në dispozicionin tonë. Prandaj, ju mund të mbështeteni te Perëndia dhe tek ato që Ai ka siguruar për ju në Krishtin. Burimet e tij janë të mjaftueshme për të përmbushur çdo nevojë tuajën dhe për të përfunduar çdo detyrë për të cilën Ai ju thërret.
