25 Gusht 2026

“Mos merrni hak për veten tuaj, o të dashur, por jepini vend
zemërimit të Perëndisë…”
ROMAKËVE 12:19

Hakmarrja është një nga instinktet më të natyrshme. Kështu funksionon bota, sepse ne jetojmë në një botë “njeriu ha njeriun”, ku nëse më bëhesh pengesë, unë do të të shtyj mënjanë. Prandaj, hakmarrja është reagimi i natyrshëm kur dikush na bën keq — mirëpo ky nuk është një reagim i krishterë. Prandaj, ne duhet të ruhemi vazhdimisht prej saj. Edhe nëse iu shmangëm dje, kjo nuk është garanci që do t’i shmangemi edhe sot.

Ndoshta fusha e sportit është vendi në të cilin e shohim se si hakmarrja bëhet lehtësisht motivi i planeve dhe veprimeve tona. Çfarë bëni ju nëse lojtari i ekipit kundërshtar bën faull kundër jush dhe gjyqtari nuk e dallon dhe as nuk e ndëshkon? Instinkti ynë është që të gjejmë një mënyrë për t’u hakmarrë. Prandaj, ne komplotojmë dhe planifikojmë, ne zgjedhim çastin dhe “barazohemi”. Dhe ashtu sikurse ndodh në fushën e sportit, kështu ndodh edhe në jetë — të paktën në imagjinatën tonë, nëse nuk ndodh në sjelljen tonë.

Mirëpo atëherë Shkrimi e kundërshton instinktin natyror me fjalët: “Mos merrni hak për veten tuaj.”

Pali jo vetëm që e përvijoi parimin, por ai edhe e demonstroi atë. Ai po shërbente në një mjedis që i jepte atij çdo arsye për t’u hakmarrë: njerëzit shpifën kundër tij, e rrahën, e tallën, e burgosën; dhe ka shumë të ngjarë që ai të ketë qenë ende gjallë kur perandori Neron dhe qeveria e tij po i kthenin të krishterët në “pishtarë ndriçues” në oborret e pallatit perandorak. Ata i lidhnin ndjekësit besnikë të Jezusit pas trarëve, i ngulnin ata në tokë, i lyenin me dyll dhe u vinin zjarrin — dhe urdhërimi vazhdonte të ishte: “Mos merrni hak për veten tuaj.”

Ne shpesh nuk arrijmë të bëjmë dallimin mes zbatimit të ligjit hyjnor, gjë që është e drejta e Perëndisë; zbatimit të ligjit penal, gjë që është përgjegjësia që Perëndia i ka dhënë qeverisë (Romakëve 13:1-4); dhe praktikës së hakmarrjes personale, për të cilën Bibla nuk na jep asnjë mandat. Ne lejohemi të kërkojmë drejtësi penale nga shteti, duke mbajtur mend gjithmonë që kjo nuk do të jetë e përsosur dhe as nuk ishte ideuar për të qenë përfundimtare; por mbi të gjitha, ne jemi thirrur për t’ia besuar veten tonë drejtësisë hyjnore të Perëndisë, ashtu siç bëri edhe Biri i Tij (I e Pjetrit 2:23). Ne duhet të jetojmë duke kujtuar që e sotmja ka të ngjarë të mos jetë dita e gjykimit të fundit dhe se është e sigurt që ju dhe unë nuk jemi gjykatësi.

Ne jemi thirrur si qytetarë të mbretërisë së përjetshme dhe jo të ndonjë mbretërie tokësore. Jobesimtarët nuk do të tërhiqen te Krishti nëse i shohin ndjekësit e Tij duke shpallur se Ai është Gjykatësi i drejtë dhe pastaj të sillen sikur ata vetë e kanë të drejtën për të dhënë gjykim. Veprimet tona do t’i ndikojnë njerëzit përreth nesh që po përleshen me mëkatin. U fitofshin ata për Krishtin përmes dashurisë sonë dhe mos u largofshin kurrë nga Krishti për shkak të hakmarrjes sonë!

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17