Shtator_25

Shtator 2022


Fjala e Perëndisë nuk është e pavlerë; ajo është çështje jete a vdekje. Nëse i trajton Shkrimet si të parëndësishme ose si fjalë boshe, ti po humbet jetën tënde.

Madje edhe jeta jonë fizike varet nga fjala e Perëndisë, sepse ne u krijuam nga fjala e Tij (Psalmi 33:6; Hebrenjve 11:3), dhe Ai është “duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij” (Hebrenjve 1:3).

Jeta jonë frymërore fillon nga fjala e Perëndisë: “Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës” (Jakobi 1:18). “Të rilindur… me anë të fjalës së gjallë të Perëndisë, që mbetet përjetë” (1 e Pjetrit 1:23).

Jo vetëm që fillojmë të jetojmë nga fjala e Perëndisë, por gjithashtu vazhdojmë të jetojmë nga fjala e Tij: “Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë” (Mateu 4:4; Ligji i Përtërirë 8:3).

Prandaj, jeta jonë fizike është krijuar dhe mbahet gjallë nga fjala e Perëndisë, dhe jeta jonë frymërore është gjallëruar dhe mbështetet te fjala e Tij. Sa shumë histori mund të mbledhim për të dhënë dëshmi për fuqinë jetëdhënëse të fjalës së Perëndisë!

Është e vërtetë që Bibla nuk është “fjalë e pavlerë për ju”–ajo është jeta juaj! Themeli i gjithë gëzimit është jetë. Asgjë nuk është më themelore sesa vetë ekzistenca–krijimi dhe ruajtja jonë.

E gjithë kjo i atribuohet fuqisë së fjalës së Perëndisë. Me të njëjtën fuqi, Ai ka folur në Shkrime për krijimin dhe mbështetjen e jetës tënde frymërore. Prandaj, Bibla nuk është një fjalë e pavlerë, por vetë jeta jote–ajo është themeli dhe lënda djegëse e gëzimit tënd!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia