25 shkurt

Shkurt 2022


A do të doje ta dëgjoje engjëllin Gabriel të të thoshte: “Ty të duan shumë”?

Kjo gjë i ndodhi Danielit tri herë.

  • “Në fillim të lutjeve të tua doli një fjalë dhe unë erdha të ta bëj të njohur, sepse ty të duan shumë.” (Danieli 9:23)
  • “Daniel, njeri shumë i dashur, kupto fjalët që po të them dhe çohu më këmbë, sepse tani më kanë dërguar te ti.” (Danieli 10:11)
  • Dhe tha: “O njeri që të duan shumë, mos ki frikë, paqja është me ty; mblidh forcat e tua.” (Danieli 10:19)

E pranoj që çdo vit kur lexoj përgjatë Biblës dhe arrij në këto vargje, dua t’i marr ato dhe t’i zbatoj për veten time. Dua ta dëgjoj Perëndinë që të më thotë mua: “Ty të duan shumë.”

Në fakt, unë e dëgjoj këtë fjalë, por edhe ti mund ta dëgjosh gjithashtu. Nëse ke besim në Jezusin, vetë Perëndia të thotë në fjalën e Tij—e cila është edhe më e sigurt se fjalët e një engjëlli të Perëndisë—“Ty të duan shumë”.

Ja ku e keni, tek Efesianëve 2:3-5, 8: Ne “ishim prej natyre bij të zemërimit, si edhe të tjerët. Por Perëndia që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi, ndonëse ne ishim të vdekur nëpërmjet shkeljeve, na dha jetë bashkë me Krishtin...sepse, me anë të hirit jeni shpëtuar, nëpërmjet besimit.”

Ky është i vetmi vend ku Pali përdor këtë frazë të mrekullueshme “dashuri e madhe” dhe është më e mirë se zëri i një engjëlli. Nëse e ke parë Jezusin si të vërtetë dhe e ke pranuar Atë si thesarin tënd suprem, domethënë, nëse je “i gjallë”, ty t është treguar një dashuri e madhe. Ke marrë një dashuri të jashtëzakonshme nga Krijuesi i gjithësisë. Thjesht mendo pak! Je dashur me një dashuri të jashtëzakonshme!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia