“Dhe kur dëgjoi se ishte Jezus nazaretasi, filloi të bërtasë e të thotë: ‘O Bir i Davidit, Jezus, ki mëshirë për mua!’.” MARKU 10:47
Bartimeu i verbër ishte ulur në errësirë të plotë. Ai mund të dëgjonte turmën, lëvizjet, zhurmën e njerëzve që flisnin. Ai mund të dëgjonte gumëzhitjen që sinjalizonte se Jezusi i Nazaretit ishte diku atje në errësirë, por nuk mund ta shihte Atë. Duke kuptuar se kjo mund të ishte e vetmja mundësi për të tërhequr vëmendjen e Jezusit, ai bërtiti nga dëshpërimi: “O Bir i Davidit, Jezus, ki mëshirë për mua!”.
Thjeshtësia dhe qartësia e kërkesës së Bartimeut ishte dëshmi e besimit të tij; ajo tregonte se ai vërtet besonte se Jezusi mund ta bënte atë që po i kërkonte. Me hirin e Perëndisë, Bartimeu i verbër pa atë që u kishte shpëtuar njerëzve të tjerë të panumërt: ai pa se në Jezusin mund të gjente mëshirën e Perëndisë. Dhe kur Jezusi e trajtoi nevojën e tij, Bartimeu dhe të gjithë ata që e panë takimin, e kuptuan se besimi i tij ishte arsyeja për shërimin e tij. Mirëpo Bartimeu nuk gaboi kurrë që të mendonte se gjithçka që i duhej vërtet ishte shikimi fizik. Ja pse, sapo Jezusi i riktheu shikimin, ai “e ndiqte Jezusin gjatë rrugës” (Marku 10:52).
Në këtë takim, shohim një mikrokozmos të të gjithë ungjillit. Bibla e përdor shpesh verbërinë si një metaforë për gjendjen e vështirë të burrave dhe të grave. Për shembull, apostulli Pal thotë: “…perëndia i kësaj epoke i verboi mendjet e jobesimtarëve, që të mos shikojnë ndriçimin e ungjillit të lavdisë së Krishtit, i cili është shëmbëllesë e Perëndisë” (II Korintasve 4:4); dhe vetë Jezusi tha: “Unë erdha për gjykim në këtë botë, me qëllim që ata që nuk shohin, të shohin…” (Gjoni 9:39). Dhe më parë tek Ungjilli sipas Markut, lexojmë se, edhe pse dishepujt po e ndiqnin Jezusin, ata ende nuk shihnin dhe nuk kuptonin gjithçka që po u mësonte, kështu që Ai pyeti: “Duke pasur sy, nuk shihni?! Dhe duke pasur veshë, nuk dëgjoni?!…” (Marku 8:18).
Atëherë, si u kthehet shikimi të verbërve? Ashtu siç ndodhi me Bartimeun: duke shkuar te Jezusi dhe duke i thirrur Atij për mëshirë, duke kërkuar faljen plot dashuri dhe jetën e re që vetëm Ai mund t’i sigurojë. Ju nuk do ta njihni kurrë Jezu Krishtin si një realitet në jetën tuaj derisa ta njihni Atë si një domosdoshmëri. Kjo është një e vërtetë të cilën kemi nevojë që ta kuptojmë, në mënyrë që ta shijojmë ditën e parë të jetës sonë të re duke e ndjekur Atë; mirëpo kjo është gjithashtu një e vërtetë të cilën duhet ta kujtojmë, në mënyrë që ta vazhdojmë jetën tonë duke e ndjekur Atë. Në çfarëdolloj mënyre që të keni nevojë për mëshirë tani, shikoni drejt Tij me sytë e besimit të dhënë nga Perëndia dhe thjesht kërkoni. Lajmi i mirë është se Jezusi ende dëgjon, Jezusi ende kujdeset, Jezusi ende ndalon, Jezusi ende tregohet i vëmendshëm dhe Jezusi ende shpëton.
