“…[Jezusi] u tregoi atyre duart dhe brinjën. Atëherë dishepujt u gëzuan, duke parë Zotin.” GJONI 20:20
Pashka e parë nuk dukej si një festë tipike Pashke.
Para se të zbulohej ringjallja e Jezusit, dita u karakterizua nga lotët, dërrmimi dhe hutimi — jo nga gëzimi, shpresa dhe lavdërimi. Të shtyrë nga frika, dishepujt u mblodhën për të mbrojtur njëri-tjetrin, jo për të kënduar “Krishti, Zoti, sot u ringjall, aleluja!”13. Ata u ulën të pikëlluar; historia e tyre kishte marrë fund, dhe tani ishte hapur një faqe bosh.
Ose kështu mendonin ata.
Bibla nuk përpiqet ta mohojë dhe as ta idealizojë pikëllimin që ndien ndjekësit e Krishtit pas kryqëzimit të Tij. Ata nuk e kuptuan se ç’kishte ndodhur dhe sigurisht që nuk e dinin se ç’do të ndodhte më pas. Trishtimi i tyre zbulon kufizimet e njerëzimit për të njohur tablonë më të madhe. Pavarësisht nga profecitë e Besëlidhjes së Vjetër dhe faktit që Jezusi e paratha vdekjen e Tij (Marku 8:31; 9:31; 10:33-34), tek Ungjilli sipas Gjonit na thuhet se ata “ende nuk e merrnin vesh Shkrimin, që ai duhej të ringjallej prej të vdekurve” (Gjoni 20:9). Ata nuk e kuptuan se kur Jezusi tha që nga kryqi: “Është kryer!” (19:30), Ai nuk po shprehte humbjen, por po shpallte fitoren.
Kjo fitore do të thoshte ringjallje. Dhe ndërsa Shpëtimtari i ringjallur erdhi te dishepujt në errësirën, frikën dhe trishtimin e tyre, Ai solli transformim. Mosbesimi i tyre u kthye në besim dhe trishtimi i tyre në gëzim. Ky gëzim ishte i rrënjosur në faktin që ata e kuptuan se Jezusi ishte ringjallur prej të vdekurve. Besimi dhe e ardhmja e tyre u rikthyen dhe u rrënjosën në këtë realitet të mrekullueshëm. Errësira e dëshpërimit të tyre e bëri edhe më të lavdishme dritën e ringjalljes.
Nëse jeni duke kërkuar një perëndi që thjesht t’ju gëzojë, nuk duhet të kërkoni Perëndinë e Biblës. Ai na gëzon — më shumë se kushdo apo çdo gjë tjetër — por Ai shpesh e fillon duke na trishtuar. Ne jemi të trishtuar nga kjo botë e thyer, të pikëlluar nga mëkati ynë, të pikëlluar që, në kryq, Jezusi vdiq për ligësinë, mosbindjen dhe mosinteresimin tonë. Vetëm përmes një dhimbjeje të tillë mund ta kuptojmë plotësisht gëzimin që vjen kur llogaria jonë është shlyer, borxhi ynë është paguar dhe padrejtësitë tona janë falur.
Ne mund ta përjetojmë gëzimin e një dashurie që na do, edhe pse nuk jemi të denjë për të — të një dashurie që na do, edhe atëherë kur nuk duam të dëgjojmë. Ç’lloj dashurie është kjo? Është dashuria e Perëndisë për burrat dhe gratë, për ty dhe mua! Sot, largoje vështrimin nga vetja dhe shiko Atë. Kjo është dashuria, dhe atëherë kur e dimë se na tregohet dashuri në këtë mënyrë, ne jemi në gjendje për të parë shërimin në lëndim dhe ai trishtim mund të jetë toka në të cilën rritet gëzimi i përjetshëm. Për cilën pjesë të jetës sate — ndoshta një pjesë e mbushur me dhimbje, keqardhje ose ankth — ke nevojë që ta dëgjosh këtë sot? Mbaj mend se pavarësisht se çfarë mund të jesh duke përjetuar, mbetet e vërtetë që Krishti, Zoti u ringjall. Aleluja!
