Mars 2022
Ky tekst na drejton te fakti se të besuarit në Jezusin do të thotë të ushqehesh dhe të pish nga gjithë sa Jezusi është. Teksti shkon aq larg sa thotë që etja e shpirtit tonë shuhet me Jezusin dhe kështu nuk kemi më kurrë etje.
Ai është fundi i kërkimit tonë për kënaqësi. Nuk ka asgjë më të lartë dhe më të mirë sesa vetë Krishtin.
Kur i besojmë Jezusit, ashtu si Gjoni synon që t’i besojmë, prania dhe premtimi i Jezusit është aq i kënaqshëm saqë nuk sundohemi më nga kënaqësitë joshëse të mëkatit (shih Romakëve 6:14). Kjo shpjegon pse një besim i tillë në Jezusin e shfuqizon fuqinë e mëkatit dhe mundëson bindjen.
Gjoni 4:14 na drejton tek e njëjta gjë: “Por kush pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë më etje përjetë; por uji, që unë do t’i jap, do të bëhet në të një burim uji, që buron në jetë të përjetshme.” Në përputhje me Gjonin 6:35, ky varg flet për besimin shpëtues si pirja e ujit që kënaq etjet më të thella të shpirtit. Kjo kënaqësi bëhet prodhimtare, si një burim që buron në përjetësi.
E njëjta gjë thuhet edhe te Gjoni 7:37-38: “Jezusi u ngrit në këmbë dhe thirri duke thënë: ‘Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë. Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, prej brendësisë së tij do të burojnë lumenj uji të gjallë.’”
Përmes besimit, Krishti bëhet në ne burim i pashtershëm i një jete që na kënaq, që zgjat përjetë e na udhëheq në qiell, dhe teksa shkojmë atje na çliron nga iluzionet mëkatare të kënaqësive të tjera. Këtë Ai e bën duke dërguar Frymën e Tij (Gjoni 7:38-39).
John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022