korrik 25

Korrik 2022


Dy armiqtë e mëdhenj të shpirtit tonë janë mëkati dhe Satani. Mëkati është armiku më i lig, sepse mënyra se si Satani mund të na shkatërrojë është duke na bërë që të mëkatojmë dhe duke na mbajtur larg pendimit. Gjëja e vetme që mund të na çojë në humbje, është mëkati i pafalur, jo Satani.

Perëndia mund t’i lërë atij mjaft liri sa për të na përndjekur, ashtu siç bëri me Jobin, ose edhe për të na vrarë, ashtu siç bëri me shenjtorët në Smirnë (Zbulesa 2:10); por Satani s’mund të na dënojë ose të na e rrëmbejë jetën e përjetshme. Mënyra e vetme se si mund të na lëndojë vërtet është duke na ndikuar që të mëkatojmë dhe duke na penguar që të pendohemi. Ky është pikërisht synimi i tij.

Prandaj, puna kryesore e Satanit është që të mbrojë, të nxisë, të mbështesë, të stimulojë dhe të konfirmojë prirjen tonë për të mëkatuar. Synimi i tij është që të na mbajë larg besimit dhe pendimit.

Këtë e shohim tek Efesianëve 2:1-2: “Ishit të vdekur në shkelje dhe në mëkate, në të cilat keni ecur dikur… sipas prijësit të pushtetit të ajrit.” Të mëkatuarit “përputhet” me fuqinë e Satanit në këtë botë. Kur ai sjell ligësi morale, e bën përmes mëkatit. Kur ne mëkatojmë hyjmë në sferën e ndikimit të tij dhe biem dakord me të. Kur mëkatojmë i japim vend djallit (Efesianëve 4:27).

E vetmja gjë që do të na dënojë në ditën e gjykimit, është mëkati i pafalur–jo sëmundjet, as vuajtjet, as përndjekjet, as kërcënimet, as fantazmat dhe as ëndrrat e frikshme. Satani e di këtë, prandaj përqendrimi i tij më i madh nuk është kryesisht si t’i frikësojë të krishterët me fenomene të çuditshme (edhe pse ka shumë të tilla), por si t’i korruptojë ata me trillime të kota dhe mendime të liga.

Satani ka qëllim që të na kapë në një kohë kur besimi ynë nuk është i fortë, kur ai në fakt është i cenueshëm. Ka kuptim që çdo gjë që Satani do që ta shkatërrojë, është gjithashtu mjeti përmes të cilit ne u rezistojmë përpjekjeve të tij. Kjo është arsyeja pse Pjetri thotë: “Atij kundërshtojini, të patundur në besim” (1 e Pjetrit 5:9). Kjo është gjithashtu arsyeja pse Pali thotë se “mburoja e besimit” mund të shuajë “të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut” (Efesianëve 6:16).

Mënyra për ta mposhtur djallin është që të forcosh pikërisht atë që ai po përpiqet më fort ta shkatërrojë–besimin tënd.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia