Korrik 2026
Mund të themi shumë gjëra që të ndihmojmë të krishterët dyshues ose jo të krishterët skeptikë që t’i besojnë Biblës. Mund të vëmë në dukje se Jezu Krishti përmendet disa herë edhe jashtë Biblës, përfshirë këtu në disa burime romake si Suetonius-i, Tacitus-i dhe nga Pliny i Riu, si dhe në burime hebraike si Josephus-i dhe Talmud-i. Mund t’u tregojmë edhe për provat arkeologjike të gjysmëshekullit të kaluar, të cilat kanë vërtetuar ekzistencën e Ponc Pilatit, pellgut të Siloamit dhe krahinës së gerasenëve apo Detit të Galilesë. Mund të flasim për dorëshkrimet që vërtetojnë tekstin e Biblës, të cilat janë provë shumë herë më e mirë se çdo provë tjetër që kemi për librat e lashtë.
Të gjitha këto janë drejtime që vlejnë të shqyrtohen kur bëhet fjalë për t’u diskutuar besueshmëria e Biblës. Mirëpo unë dua të ndjek një shteg të ndryshëm, më të thjeshtë. Dua të shqyrtoj se çfarë mendonte Jezusi për Biblën. Pa dyshim që citimi i Biblës nuk do ta bëjë atë të besueshme për skeptikët. Autoriteti i Shkrimit të Shenjtë është një çështje dëshmie e brendshme e Frymës së Shenjtë dhe e veprës së mbinatyrshme të Perëndisë, përmes së cilës delet e dëgjojnë zërin e Bariut në Shkrimin e Shenjtë. Megjithatë, mund të vërtetojmë se, nëse besojmë sadopak te Jezusi, atëherë duhet të jemi të bindur edhe për besueshmërinë e Biblës. Merrni në konsideratë katër pasazhe që theksojnë se si e shihte Jezusi Shkrimin e Shenjtë.
Mateu 5:17-19. Te Predikimi në Mal, Jezusi shpall se Ai nuk erdhi të shtojë a të heqë asnjë jotë e asnjë pikë nga Ligji apo Profetët. Fakti që Jezusi përmend këto shenja të vogla pikësimi na tregon se Ai po i referohet Shkrimit të shkruar. Mund të heqësh diçka nga Fjala e Perëndisë po aq sa mund të heqësh qafe qiellin dhe tokën.
Mateu 12:38-42. Ndërsa debatonte me skribët dhe farisenjtë, Jezusi i referohet historisë së Jonait si histori e vërtetë. Jezusi nuk po citon thjesht një pjesë letrare. Njerëzit e Ninivesë nuk do të mund të ngriheshin për gjykim në ditën e fundit, po të ishin thjesht personazhe imagjinare. Në të gjithë Ungjijtë, Jezusi i trajton personazhet dhe historitë biblike – nga Abeli, Noeu dhe Abrahami e deri tek Elia me Eliseun dhe vejusha e Sareptas – si personazhe të vërteta, të përfshirë në ngjarje të vërteta historike.
Mateu 19:4-5. Jezusi citon nga Zanafilla 2 fjalët që “...ai që i bëri ...tha...”. Pasazhi nga Zanafilla 2 nuk përfshin një citim të drejtpërdrejtë nga Perëndia. Mirëpo kjo nuk ka rëndësi për Jezusin. Fakti që Ai po citon nga Bibla, do të thotë që Ai po citon Perëndinë. Për Jezusin, atë që e thotë Bibla, e thotë Perëndia.
Gjoni 10:35. Këtu Jezusi citon faktin që “...Shkrimi nuk mund të zhbëhet”. Jezusi po argumenton për një fjalë nga Psalmi 82. Ai nuk po citon historinë e eksodit apo ndonjë varg të famshëm nga Testamenti i Vjetër. Ai po i referohet një fjale të vetme në një psalm paksa të errët. E megjithatë, Jezusi beson – dhe mund të citojë pa frikë se do ta kundërshtojë ndonjë judé serioz – se asnjë fjalë e Shkrimit të Shenjtë nuk mund të hidhet poshtë. Jezusi po u mëson – ose për të qenë më të saktë, Ai po hamendëson atë që të gjithë e dinin – se asgjë që mësohet në Bibël nuk mund të anashkalohet, të zhbëhet apo të shfuqizohet.
Çfarë duhet të mendojmë për Biblën? Pa dyshim që e vetmja përgjigje me vend për të krishterët është se ne besojmë për Biblën atë që Jezusi besonte për Biblën. Jezusi pohoi çdo pjesë të ligjit, të profecive, të narrativës dhe të poezive në Shkrimin e Shenjtë. Ai as që e konsideroi se ndokush mund të hidhte poshtë, të refuzonte apo të mos i besonte ndonjë pjese të Shkrimit të Shenjtë. Ai e përqafoi me gëzim autoritetin dhe frymëzimin e Shkrimit të Shenjtë deri në fjali, fraza, fjalë, shkronja, madje deri në shenja pikësimi. Jezusi i pranoi kronologjinë, mrekullitë dhe historinë e Biblës si fakte të drejtpërdrejta.
Nuk ka dyshim që Jezusi ishte i bindur për besueshmërinë e plotë të Shkrimit të Shenjtë – në çdo detaj dhe në çdo të vërtetë që pohon. Nëse Jezusi i besoi Biblës, kush jemi ne që të mendojmë ndryshe?
Kevin DeYoung është pastori kryesor i kishës “Christ Covenant” (PCA) në Matthews, North Carolina dhe profesor i asociuar i teologjisë sistematike në Reformed Theological Seminary.
Botuar me leje: https://clearlyreformed.org/can-we-trust-the-bible/
Përktheu: Sara Jaupllari | Redaktoi: Lea Allkoja
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2026

