“Dhe ai u tha: ‘Hidhni rrjetën në anën e djathtë të varkës dhe do të gjeni’.
Atëherë e hodhën rrjetën dhe nuk mundnin më ta tërhiqnin nga moria e peshqve. Atëherë, ai dishepulli të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: ‘Është Zoti’. Atëherë Simon Pjetri, kur dëgjoi se është Zoti, u mbështoll me rrobën e sipërme
(sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det.” GJONI 21:6-8
Kur personi që po qëndronte në breg, u tha peshkatarëve që ta hidhnin rrjetën në anën tjetër të varkës — dhe kur peshkatarët e panë që, pasi nuk kishin zënë asgjë gjithë natën, tani rrjetat e tyre sa nuk po shqyheshin — ata nisën ta dallonin se kush ishte Ai që i kishte thirrur. Ndoshta deri më tani ata ishin penguar në mënyrë të mbinatyrshme për të mos e njohur Atë, siç u ndodhi edhe burrave rrugës për në Emaus (Luka 24:16). Ose ndoshta mjegulla e agimit ose largësia e varkës nga toka ishte ajo që i pengoi për ta dalluar plotësisht Shpëtimtarin e tyre.
Sido që të ketë qenë, nuk kaloi shumë kohë derisa Gjoni, “dishepulli të cilin Jezusi e donte”, e kuptoi se kush ishte Ai që u kishte folur — dhe sapo ia tregoi këtë gjë Pjetrit, ky i fundit u hodh në veprim. Njohja e Gjonit dhe reagimi i Pjetrit përbëjnë një partneritet që e shfaq bukur qëllimin e Perëndisë për larminë plotësuese. Perëndia i merr Gjonët dhe Pjetrat e kësaj bote dhe i bën ata bashkë, që të mund të jenë ata që s’mund të jenë kur janë të veçuar. Në të gjithë Ungjillin sipas Gjonit, e shohim Gjonin të shfaqë një besim të qëndrueshëm dhe meditues. Kur ai dhe Pjetri shkuan te varri bosh, ai e dalloi kuptimin e pëlhurave që shtriheshin të zbrazura, brenda të cilave duhej të kishte një trup, dhe kështu besoi (Gjoni 20:8). Po kështu, edhe deklarata e tij nga varka zbulon një burrë që nuk u nxitua për vlerësimin e rrethanave, por që, përkundrazi, i shqyrtoi ato dhe pastaj besoi plot siguri. Kur Gjoni e kuptoi se para tij qëndronte Jezusi, ai ia tregoi këtë gjë Pjetrit. Pastaj Pjetri reagoi ndaj njohjes së Gjonit ashtu siç bënte shpesh: duke u hedhur në veprim të menjëhershëm, plot pasion dhe besim. Ju mund ta përytyroni atë që hidhet në ujë dhe që pastaj jep dhe merr, ca me not e ca me të ecur, ndërsa përleshet fort për të arritur te Shpëtimtari i tij në breg. Pjetri nuk tregoi hezitim për të dalë nga varka. Mendimi i tij i vetëm ishte që të arrinte te Zoti i tij.
Pa natyrën medituese dhe të mprehtë të Gjonëve, Pjetrat e kësaj bote do të zhuriteshin në veprimtari të ethshme. Pa guximin e Pjetrave, Gjonët e kësaj bote do të treteshin në meditim. Të gjithë ne kemi nevojë për partnerë për t’i shërbyer mirë Krishtit. Pavarësisht nëse je një Pjetër ose një Gjon, apo cilido qoftë temperamenti yt i veçantë, Perëndia të bëri kështu siç je, për t’i shërbyer një qëllimi në mbretërinë e Tij. Shumë prej nesh kalojnë mjaft kohë duke dëshiruar të ishin më të ngjashëm me të tjerët. Kurse të tjerë prej nesh nuk e kanë të vështirë ta dallojnë llojin e personalitetit të tyre ose pikat e forta, por kanë vështirësi për t’i përdorur ato me përulësi në shërbim të të tjerëve ose për t’u treguar të duruar me sjelljen e atyre që janë të ndryshëm nga ne. Çfarë do të ndryshonte në mënyrën se si e sheh veten dhe qëllimin tënd nëse e kupton se çdo aspekt i temperamentit tënd të është dhënë nga Perëndia dhe se Ai synon që ta përdorësh jo për qëllimet e tua, por në bindje ndaj Tij, në bashkësinë e popullit të Tij dhe për lavdinë e Birit të Tij?
