dhjetor 25

Dhjetor 2022


Le të mendojmë pak bashkë mbi këtë situatë të jashtëzakonshme. Nëse Biri i Perëndisë erdhi të të ndihmojë që të ndalosh së mëkatuari–pra, për të shkatërruar veprat e djallit–nëse Ai gjithashtu erdhi të vdiste, që kur ti të mëkatosh, të ketë një shlyerje dhe zemërimi i Perëndisë të të hiqet, atëherë çfarë flet kjo për mënyrën si duhet ta jetosh jetën?

Tri gjëra. Dhe këto janë të mrekullueshme për t’i pasur. Po i jap shkurtimisht si dhurata për Krishtlindje:

Dhurata 1: Një qëllim i qartë për jetën

Rrjedhoja e parë nënkupton se ke një qëllim të qartë për jetën. Mohore është kështu: mos mëkato–mos bëj atë që e çnderon Perëndinë. “Djema të mi, ju shkruaj këto që të mos mëkatoni” (1 e Gjonit 2:1). “Për këtë është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit” (1 e Gjonit 3:8).

Nëse po pyet: “A mund të na e thuash pohore dhe jo mohore këtë?”, përgjigjja është: “Po, gjithçka përmblidhet tek 1 e Gjonit 3:23.” Kjo është një përmbledhje fantastike për atë që kërkon gjithë letra e Gjonit. Vëzhgo fjalën “urdhërimi” në njëjës: “Dhe ky është urdhërimi i Tij që të besojmë në emrin e Birit të tij, Jezu Krisht, dhe ta duam njëri-tjetrin si na dha urdhërim.” Këto dy gjëra janë të lidhura shumë ngushtë në mendjen e Gjonit, pasi ai i quan një urdhërim të vetëm: beso në Jezusin dhe duaji të tjerët. Ky është qëllimi yt. Kjo është tërësia e jetës së krishterë. T’i besosh Jezusit, t’i duash njerëzit ashtu si Jezusi dhe apostujt e Tij na mësuan t’i duam. Besoji Jezusit, duaji njerëzit! Kjo është dhurata e parë: një qëllim për jetën.

Dhurata 2: Shpresë se dështimet tona do të falen

Rrjedhoja e dytë e së vërtetës së dyfishtë që Krishti erdhi jo vetëm që t’i shkatërronte mëkatet tona, por dhe t’i falte ato, është kjo: Ne përparojmë në mposhtjen e mëkatit tonë kur kemi shpresë se dështimet tona do të falen. Nëse s’ke shpresë se Perëndia do të t’i falë dështimet, sapo nis të luftosh mëkatin, dorëzohesh.

Shumë prej jush po mendoni për disa ndryshime këtë vit që vjen, për shkak se keni zakone të mëkatshme dhe dëshironi të dilni prej tyre. Dëshironi modele të reja ushqyerje, modele të reja për argëtimin, modele të reja për dhënien. Modele të reja për marrëdhënien me bashkëshorten, modele të reja për devocionin familjar, modele të reja gjumi dhe ushtrimesh fizike. Modele të reja guximi për të dëshmuar. Por gjithsesi, ti po përleshesh duke vrarë mendjen nëse ia vlen. Ja, pra, ku është dhurata e dytë për Krishtlindje: Krishti jo vetëm që erdhi të shkatërronte veprat e djallit–të mëkatuarit tonë–por Ai gjithashtu erdhi për të qenë avokati ynë kur dështojmë në luftën tonë.

Prandaj të përgjërohem, lejo këtë të vërtetë të të japë shpresë për të luftuar: dështimi nuk e ka fjalën e fundit. Por, kujdes! Nëse e kthen hirin e Perëndisë në liri për të mëkatuar dhe thua: “Epo, nëse dështokam dhe s’ka rëndësi, atëherë pse ta vras mendjen për të luftuar kundër mëkatit?”–nëse mendon kështu dhe e ke me tërë mend, nëse vazhdon të veprosh në këtë mënyrë, ka të ngjarë që nuk ke lindur sërish dhe për këtë duhet të dridhesh.

Por shumica prej jush nuk janë në këtë pozitë. Shumica prej jush dëshironi t’i luftoni modelet mëkatare në jetët tuaja. Ajo që Perëndia po ju thotë është kjo: Lejojeni faktin që Krishti i mbulon dështimet tuaja, t’ju japë shpresë për të luftuar. “Ju shkruaj këto që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush ka mëkatuar, kemi një avokat tek Ati, Jezu Krishtin.”

Dhurata 3: Krishti do të na ndihmojë

Përfundimisht, rrjedhoja e tretë e së vërtetës së dyfishtë që Krishti erdhi të shkatërronte mëkatet tona dhe të na falte mëkatet, është kjo: Krishti do të na ndihmojë me të vërtetë në luftën tonë. Ai do të të ndihmojë me të vërtetë! Ai është në anën tënde. Krishti nuk erdhi ta shkatërronte mëkatin, për shkak se mëkati është argëtues, por sepse ai është fatal. Mëkati është puna mashtruese e djallit, dhe ai do të na shkatërrojë nëse nuk e luftojmë, por Krishti erdhi për të na ndihmuar, jo për të na lënduar.

Ja dhe dhurata jote e tretë për Krishtlindje: Krishti do të të ndihmojë ta mposhtësh mëkatin në ty. 1 e Gjonit 4:4 thotë: “Ai në ju është më i madh se ai në botë.” Jezusi është i gjallë, Jezusi është i gjithëpushtetshëm, Ai jeton në ne me anë të besimit. Jezusi është për ne dhe jo kundër nesh. Ai do të të ndihmojë në luftën tënde me mëkatin në vitin që po vjen. Besoji Jezusit!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia