23 Prill 2026

“Gjithë perimetri do të jetë tetëmbëdhjetë mijë kute. Prej kësaj dite emri i qytetit do të jetë: ‘ZOTI është atje.’” EZEKIELI 48:35

Më e mira nuk ka ardhur ende.

Kur Kiri i Persisë erdhi në pushtet në shekullin e 6-të para Krishtit, izraelitët kishin qenë në mërgim për gjashtë dekada. Menjëherë pas kësaj, mbreti i lejoi disa nga robërit izraelitë të ktheheshin në shtëpinë e tyre të mëparshme. Me shumë shpresë dhe pritje, Ezdra dhe Nehemia u kthyen dhe i udhëhoqën njerëzit në rindërtimin e tempullit dhe të mureve të Jerusalemit.

Numri i të mërguarve të kthyer ishte i vogël dhe ata u përballën me kundërshtime të konsiderueshme. Ata ishin të suksesshëm në përpjekjet e tyre, por nuk ishin aspak triumfues. Në fakt, kur u hodhën themelet e tempullit, njerëzit më të moshuar dhe më të mençur qanin, ngaqë e dinin se ai nuk do t’i përmbushte pritshmëritë e mëdha të profetëve (Ezdra 3:10-12).

Dëshirat e mëdha të atyre që qanin, pasqyronin profecinë përfundimtare të Ezekielit, e cila përmbante këtë shpresë të madhe: një ditë, një tempull i ri do të rindërtohej në një Jerusalem më të madh. Ai do të ishte më madhështor sesa kishte qenë ndonjëherë tempulli i parë, dhe Perëndia do të banonte në atë strukturë të pamasë, nga e cila do të rridhte një lumë që do t’i jepte jetë të përjetshme botës (shih Ezekieli 40 – 48).

Izraelitët e dinin se ai që po ndërtonin, nuk ishte tempulli për të cilin kishte profetizuar Ezekieli. Nuk i ngjante fare atij. As kthimi nga Babilonia në shtëpi nuk ishte eksodi i madh për të cilin kishin folur profetët. Ata mbetën duke parë përtej qytetit të tyre dhe tempullit të rindërtuar. Në fund të fundit, Ezekieli po profetizonte për mbretërinë e ardhshme të Perëndisë, gjë që ishte përtej të kuptuarit të tij.

Te Libri i Zbulesës, Gjoni përshkruan një vegim të qiellit, i cili na jep një pamje të ndryshme: kishën në mbretërinë e Perëndisë. Plani i Perëndisë nuk ishte kufizuar kurrë vetëm me izraelitët; ai përfshin shumë më tepër. Perëndia është i vendosur që t’i zhbëjë plotësisht pasojat e mëkatit dhe ta ripërtërijë të gjithë botën. Njerëzimi do të përjetojë sërish se çfarë do të thotë të jetosh vazhdimisht në praninë e Tij, në qytetin e quajtur “ZOTI është atje”. Perëndia do të jetë në mesin tonë dhe nga Ai jeta do të rrjedhë te të gjithë: “Dhe pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, duke zbritur prej qiellit nga Perëndia… Dhe nuk pashë shenjtërore në të, sepse Zoti Perëndi, i Gjithëpushtetshmi, është shenjtërorja e tij, si dhe Qengji. Dhe qyteti nuk ka nevojë për diellin, dhe as për hënën, që të shndrisin mbi të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon dhe kandili i tij është Qengji” (Zbulesa 21:2, 22-23).

Ashtu si izraelitët para nesh, edhe ne jetojmë duke shikuar drejt së ardhmes. Ne jepemi drejt së ardhmes, në pritje të kthimit të Mbretit dhe të përmbushjes së shpëtimit të Tij. Ne do t’i bashkohemi Jezusit në mbretërinë e Tij dhe do të përjetojmë gëzimin që vjen nga të qenët me Të. Mos u mjafto me atë që të ofron kjo jetë, as mos u dëshpëro nga zhgënjimet e tanishme. Ditët tona më të mira janë përpara nesh, në qytetin e Perëndisë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

EZEKIELI 47:1-12