prill 24

Prill 2022


Një grua erdhi te Jezusi, në shtëpinë e një fariseu, dhe ia lau këmbët me lotët e saj. Nuk ka pikë dyshimi që ajo u ndje e turpëruar, teksa sytë e Simonit u thoshin të gjithë të pranishmëve se kjo grua ishte një mëkatare dhe se Jezusi nuk duhej ta lejonte që ajo ta prekte.

Ajo me të vërtetë ishte mëkatare. Ishte me vend që të ndiente turp të vërtetë, por jo për shumë gjatë.

Jezusi i tha: “Mëkatet e tua të janë falur”  (Luka 7:48). Kur të ftuarit nisën të murmuritnin për këtë, Ai ia forcoi gruas besimin duke thënë: “Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe” (Luka 7:50).

Si e ndihmoi Jezusi atë grua të luftonte pasojat gjymtuese të turpit? Ai i dha asaj një premtim: “Mëkatet e tua të janë falur! Besimi yt të shpëtoi. E ardhmja jote do të jetë vetëm paqe.” Ai shpalli se falja e kaluar, tashmë do të sillte paqe në të ardhmen.

Prandaj, çështja për këtë grua qëndronte te besimi në hirin e ardhshëm të Perëndisë, i cili i ka rrënjët në autoritetin e veprës falëse dhe fjalës çliruese të Jezusit. Kështu duhet t’i luftojë secili prej nesh efektet e turpit me vend—jo të turpit pa vend, por të turpit që vërtet duhet ta ndiejmë, të atij turpi që kërcënon të qëndrojë tepër gjatë dhe kështu mund të na sakatojë.

Ne duhet ta luftojmë mosbesimin e turpit sakatues, duke u kapur pas premtimeve të paqes dhe hirit të ardhshëm, të cilat vijnë përmes faljes së veprimeve tona të turpshme.

  • “Por tek ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.” (Psalmi 130:4)
  • “Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër. I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij dhe le të kthehet te Zoti, që të ketë dhembshuri për të, te Perëndia ynë që fal bujarisht.” (Isaia 55:6-7)
  • “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.” (1 e Gjonit 1:9)
  • “Për të dëshmojnë të gjithë profetët, se me anë të emrit të tij merr faljen e mëkateve kushdo, që beson në të.” (Veprat 10:43)

Të gjithë ne kemi nevojë për falje. Nesër do të kemi sërish nevojë për falje. Jezusi vdiq për ta siguruar faljen për sot dhe për nesër. Sot ose nesër realiteti është ky: falja e Perëndisë na çliron për të ardhmen tonë. Falja na çliron nga turpi sakatues. Falja është plot me hir të ardhshëm.

Kur jetojmë me besim në hirin e ardhshëm, që është rrënjosur në faljen e Perëndisë, ne çlirohemi nga efektet e zgjatura dhe paralizuese edhe të atij turpi që meritojmë të ndiejmë. Ky është kuptimi i faljes.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia