January 2023

Por Marta ishte tepër e zënë nga shërbimet e shumta.

Luka 10:40

Faji i Martës nuk ishte pse shërbente, sepse pozita e shërbëtorit është e lavdërueshme për të krishterin. “Unë shërbej”, duhet të jetë motoja e të gjithë princave të familjes mbretërore të qiellit. Marta nuk kishte faj as pse ishte e zënë “nga shërbimet e shumta”. Asnjëherë nuk mund të themi se kemi bërë shumë për Zotin tonë. Bëfshim gjithçka mundemi; qofshin kryet, zemra dhe duart tona të angazhuara në shërbim të Mjeshtrit! Nuk ishte faji i Martës se ishte e zënë me punë, duke përgatitur një gosti për Mjeshtrin. Lum Marta për mundësinë që pati, për të sajdisur një mysafir kaq të nderuar; dhe lum si ajo për dëshirën që pati, për t’u dhënë me mish e me shpirt pas këtij shërbimi. Gabimi i saj ishte se “u zu kaq shumë nga shërbimet”, saqë harroi vetë Jezusin, duke e pasur mendjen vetëm te shërbimi. Ajo e la shërbimin që të bëhej më i rëndësishëm se përbashkësia, duke bërë që një detyrë t’ia zinte frymën tjetrës. 

Mirëpo, ne duhet të jemi edhe Martë, edhe Mari: duhet të shërbejmë shumë dhe në të njëjtën kohë duhet të kemi shumë përbashkësi të ngushtë. Për këtë na nevojitet shumë hir, sepse është më lehtë të shërbesh, sesa të kesh përbashkësi. Jozueut nuk iu lodh dora për asnjë çast duke luftuar kundër amalekitëve; por Moisiu i cili lutej majë kodrës, pati nevojë për dy ndihmës, që t’ia mbanin duart lart. 

Sa më frymëror që të jetë ushtrimi, aq më shpejt lodhemi duke e bërë atë. Frytet më të zgjedhura janë më të vështirat për t’u arritur, po kështu, virtytet më hyjnore janë më të vështirat për t’u kultivuar. Të dashur, edhe pse nuk duhet t’i lëmë pas dore veprat, të cilat janë mjaft të mira në vetvete, duhet të bëjmë gjithçka të mundshme për të shijuar përbashkësi personale dhe të gjallë me Jezusin. 

Bëni kujdes të mos e lini pas dore të ulurit te këmbët e Shpëtimtarit, edhe nëse e bëni këtë me pretekstin, në dukje bindës, se po i shërbeni Atij. Gjëja më e rëndësishme për shëndetin e shpirtit tonë, gjëja më thelbësore për lavdinë e Tij dhe gjëja e parë për dobishmërinë tonë është ruajtja e përbashkësisë së pandërprerë me Zotin tonë Jezus, duke bërë kujdes që përshpirtshmëria jetëdhënëse e besimit tonë të ruhet mbi çdo gjë tjetër në botë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>