“Dhe Pali, duke qëndruar në mes të Areopagut, tha: ‘O burra athinas… Çfarë ju, pra, adhuroni duke mos e njohur, këtë po jua shpall unë juve.’” VEPRAT E APOSTUJVE 17:22-23
Ne nuk mund ta shpallim ungjillin e Jezusit pa e kuptuar doktrinën e Perëndisë. Sikurse shkruan edhe J. B. Phillips-i në librin e tij “Perëndia yt është shumë i vogël” (Your God is Too Small): “Në ditët e sotme, shumë burra dhe gra shpesh jetojnë me një pakënaqësi të brendshme, duke mos pasur fare besim në Perëndinë… Me mendjen e tyre prej të rrituri, ata nuk kanë gjetur një Perëndi mjaft të madh për ta ‘shpjeguar’ jetën.” Prandaj, kur flasim për karakterin e Perëndisë, për madhështinë e Tij dhe për lavdinë e Tij që është zbuluar, ne nuk duhet të kursejmë asnjë fjalë me vend.
Kur Pali e shpalli ungjillin, ai shkoi te njerëzit fetarë, te njerëzit e zakonshëm dhe te njerëzit inteligjentë, për shkak se e dalloi që lajmi i mirë i Perëndisë ishte gjithëpërfshirës dhe i mjaftueshëm për secilin nga shqetësimet e tyre (Veprat e Apostujve 17:24-31). Ne mund të mësojmë nga qasja e tij, e cila u paraqiste dëgjuesve Perëndinë, duke identifikuar pesë aspekte kyç të natyrës së Tij:
- Perëndia është Krijues. Ai krijoi botën, ndërsa Vetë është i pakrijuar; Ai qëndron i dallueshëm nga krijimi i Tij dhe jashtë kufijve të kohës. Ai nuk është një forcë — madje Ai nuk është as forca më e madhe nga të gjitha — Ai as mund të kufizohet, as të manipulohet në një formë të krijuar nga ne.
- Perëndia është Mbështetës. Ai jep jetë dhe frymëmarrje. Mbështetësi i jetës nuk shërbehet nga duart e njerëzve dhe madje nuk ka asnjë nevojë që duhet t’ia plotësojmë.
- Perëndia është Sundues. Ai i urdhëron kombet. Historia, gjeografia, qeveritë — e tërë gjithësia! — janë nën kontrollin e Tij. Nuk ka asnjë ndodhi që ta befasojë Perëndinë tonë; Ai përfshin në qëllimet e Tij madje edhe veprimet e mëkatshme të njeriut. Për më tepër, si Sundues, Ai e ka vendosur gjithçka në një vend të caktuar, në një çast në histori, që ne të mund ta kërkojmë Atë, ta gjejmë Atë dhe ta lavdërojmë emrin e Tij të shenjtë.
- Perëndia është Atë. Burrat dhe gratë janë “pasardhës” të Tij (Veprat e Apostujve 17:28, Bibla ABS, 2009) dhe, në kuptimin që Ai i ka dhënë jetë çdo njeriu, duke filluar me Adamin, Ai është Ati i çdo njeriu (Luka 3:38). Ai e ka krijuar secilin prej nesh në shëmbëllimin e Tij. Ne jemi qenie morale, jemi krijuar me shqisën e së drejtës dhe së gabuarës, dhe mund të lulëzojmë vetëm në marrëdhënie me Të.
- Perëndia është Gjykatës. Ai ka autoritet mbi të gjithë botën. Do të ketë një ditë gjykimi të drejtë dhe përfundimtar, kur çdo padrejtësi do të trajtohet dhe çdo gjë e prishur do të rregullohet. Në fakt, Perëndia tashmë ka ndërhyrë me anë të Birit të Tij, Jezusit, dhe, në ringjalljen e Jezusit, Ai ka shpallur që Jezusi është caktuar Gjykatës në mënyrë hyjnore. Janë mirësia dhe durimi i Perëndisë që e shpallin gjykimin, në mënyrë që, para se të vijë ajo ditë, ne të mund të pendohemi dhe të gjejmë falje prej Tij.
Perëndia është shumë i madh — në të vërtetë, Ai është shumë herë më i madh — se interesi i ndokujt thjesht për fenë. Ai është mjaft i madh për ju dhe mua, për të gjitha shqetësimet dhe pikëllimet tona. Ai është aq i madh sa të kënaqë çdo kërkim intelektual dhe aq i madh sa të trajtojë çdo ëndje emocionale — dhe, në fund të fundit, Ai është aq i madh sa të jetojmë për Të. Në atë masë që e njihni Perëndinë ashtu siç është në të vërtetë, po në atë masë do të jetoni me bindje të gëzueshme ndaj Tij dhe do të flisni me siguri të gëzueshme për Të.
