tetor 23

Tetor 2022


Ditët e fundit nisin me ardhjen e Birit në botë. “Në këto ditët e fundit, na foli me anë të Birit.” Ne kemi qenë duke jetuar në ditët e fundit që nga koha e Krishtit–domethënë, ditët e fundit të historisë siç e njohim ne, para themelimit final dhe të plotë të mbretërisë së Perëndisë.

Ideja që thekson shkrimtari i Hebrenjve, është kjo: Fjala që Perëndia foli me anë të Birit të Tij është Fjala vendimtare. Sipas planit të vetë Birit, kjo fjalë është ruajtur për epokat në shkrimet e Dhiatës së Re. Ai u sigurua në mënyrë të qartë për këtë gjë, që asnjë brez të mos shpikë se cila është fjala vendimtare e Perëndisë. Kjo fjalë nuk do të pasohet në këtë epokë nga ndonjë fjalë më e madhe apo zëvendësuese. Kjo është Fjala e Perëndisë–personi i Jezusit, mësimi i Jezusit, vepra e Jezusit, e ruajtur me anë të frymëzimit në shkrimet apostolike, të cilat i quajmë Dhiata e Re.

Kur ankohem se nuk e dëgjoj Fjalën e Perëndisë, kur ndiej një dëshirë për të dëgjuar zërin e Perëndisë, dhe kur zhgënjehem se Ai nuk flet sipas mënyrave që unë i dëshiroj, çfarë po them në të vërtetë? A mos po them se me të vërtetë e kam shterur Fjalën e Tij finale dhe vendimtare që më është zbuluar aq plotësisht dhe pagabueshmërisht në Dhiatën e Re? A e kam shterur me të vërtetë këtë Fjalë? A është bërë ajo aq pjesë e imja saqë i ka dhënë formë vetë qenies time dhe më ka dhënë jetë e udhëzim?

Apo e kam trajtuar aq pa seriozitet–i hodha një sy siç bëj me gazetën, e klikova si postimet në internet, dhe thjesht sa e shijova–dhe pastaj vendosa se doja diçka ndryshe, diçka më shumë? Kam frikë se këtu jam fajtor më shumë nga sa dua ta pranoj.

Perëndia po na bën thirrje të dëgjojmë Fjalën e Tij finale, vendimtare dhe të pashtershme–të meditojmë mbi të, ta studiojmë dhe ta mësojmë përmendsh, të qëndrojmë gjatë me të dhe ta përvetësojmë, derisa të depërtojë në qendër të qenies tonë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia