23 Korrik 2026

“…nuk u sollëm në mënyrë të çrregullt ndër ju dhe as nuk hëngrëm bukë falas nga ndonjë, por me mund dhe me lodhje qemë duke punuar natë e ditë, me qëllim që të mos i bëheshim barrë ndonjërit nga ju.” II SELANIKASVE 3:7-8

Mbështjetja në Perëndinë nuk bie ndesh me punën për të fituar bukën tonë të përditshme. Në të vërtetë, puna dhe aftësia për ta bërë atë, janë pjesë e furnizimit të Perëndisë. Nëse e dyshojmë këtë, duhet të kemi parasysh faktin që Vetë Jezusi punoi. Edhe pse erdhi nga qielli dhe të gjitha gjërat i përkasin Atij, Ai punoi si marangoz për vite të tëra, duke e konfirmuar modelin që iu parashtrua njerëzimit te Zanafilla (Zanafilla 2:15).

Në mënyrë të ngjashme, apostujt, duke jetuar me besim dhe duke ndjekur me gjithë zemër rritjen e kishës, punuan me zell “natë e ditë”. Ata refuzuan të ishin dembelë ose të hanin ushqimin e dikujt pa paguar. Si shërbëtorë të ungjillit, ata e kishin të drejtën që të kërkonin të ndihmoheshin me furnizime (I Timoteut 5:17-18); megjithatë, ata mbajtën përgjegjësi për veten e tyre dhe praktikuan zanatet që njihnin, duke shërbyer si “shembull” për t’u imituar (II Selanikasve 3:9).

Në mes të punëve tona, ne duhet të pranojmë se mund të abuzojmë me punën në të paktën dy mënyra: ose përmes dembelizmit, ose përmes varësisë te puna. Paralajmërimi te Fjalët e Urta vlen për ne: “Përtaci nuk lëron për shkak të të ftohtit; kësisoj do të lypë në kohën e vjeljeve, por nuk do të ketë asgjë” (Fjalët e Urta 20:4). Ose, siç thotë Pali, ne nuk duhet të rrimë kot. Por duhet t’u kushtojmë po aq kujdes fjalëve të psalmistit kur thotë: “Është e kotë që ju të çoheni herët dhe të shkoni vonë për të pushuar dhe për të ngrënë bukën e nxjerrë me punë të rëndë…” (Psalmi 127:2). Po, ne duhet të punojmë me duart tona. Megjithatë, nëse nuk po punojmë për lavdinë e Perëndisë, ne vazhdojmë të mundo­hemi me një ritëm të ethshëm, por më kot.

Kjo nuk bëhet askund më e dukshme sesa kur shpërfillim parimin e shabatit. Asgjë nuk e zbulon më shumë mosgatishmërinë tonë për ta pranuar fjalën e Perëndisë dhe për t’i besuar Atij për furnizimin e përditshëm, sesa kur e shkelim urdhrin për të punuar gjashtë ditë dhe për të pushuar në të shtatën (Ligji i Përtërirë 5:12-15). Pse mendojmë se duhet të punojmë gjithë ditën, çdo ditë? Përgjigjja, për ta thënë hapur, është sepse e kemi të vështirë të besojmë se Perëndia do t’i plotësojë nevojat tona. Nuk duhet ta gjejmë sigurinë në punën tonë, por në Perëndinë që siguron si punën, ashtu edhe mjetet për ta kryer atë.

Në kulturën tonë materialiste, nuk është e lehtë të punojmë me besnikëri ndërsa mësoj­më të jemi të kënaqur me pjesën që na ka dhënë Perëndia. Kaloni disa çaste për të reflektuar mbi punën tuaj, qoftë kjo në shtëpi, në fushë, në fabrikë apo në zyrë. Në çfarë mënyrash tundoheni për të qenë dembelë? Dhe në çfarë mënyrash për të qenë të varur nga puna? Si do të duket në jetën tuaj të punoni fort dhe t’i besoni Perëndisë? Në një botë që ka rënë në grackën e materializmit, kënaqësia juaj — në punën tuaj dhe në furnizimin nga Perëndia — do të jetë një dëshmi bindëse e dashurisë hyjnore, e cila është e vetmja që na ofron kënaqësi të vërtetë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17