24 Korrik 2026

“Kur i zoti dëgjoi fjalët e të shoqes që thoshte: ‘Kështu ma bëri shërbëtori yt’, u zemërua. E mori Jozefin dhe e futi në burg, aty ku mbaheshin të burgosurit e mbretit. Jozefi mbeti në burg.” ZANAFILLA 39:19-20 (Bibla “Së Bashku”, 2023)

Potifari ishte njohës mendjemprehtë i karakterit. Si oficer i Faraonit dhe kapiten i rojes, ai kishte pasur shumë njerëz nën kontrollin e tij për pjesën më të madhe të jetës së tij. Përvoja e tij i jepte mundësi për të parë se Jozefi kishte diçka të veçantë.

Jozefi ishte ndryshe nga çdo shërbëtor tjetër; ai ishte shërbëtori më i mirë. Të gjitha punët e Potifarit patën sukses nën kujdestarinë e Jozefit, aq sa ai e la gjithçka në duart e tij — gjithçka, me përjashtim të gruas së tij.

Nuk është e çuditshme, pra, që Potifari reagoi me zemërim dhe tërbim kur gruaja e tij e akuzoi Jozefin se u përpoq ta sulmonte. Çdo burrë që meriton respekt, do të reagonte në këtë mënyrë. Ka diçka me vend në lidhje me atë lloj mbrojtjeje dhe ne duhet të presim që Potifari ta shfaqë atë.

Gabimi i Potifarit nuk ishte reagimi i tij fillestar, por shpejtësia me të cilën e shpalli gjykimin kundër Jozefit. Nuk përmendet që Potifari e përpunoi informacionin që iu dha, as nuk e shohim atë të tërhiqet dhe t’i shohë akuzat e gruas së tij në sfondin e historisë së integritetit plot besnikëri të Jozefit. Përkundrazi, Potifari lejoi që zemërimi i tij ta hiqte qafe gjykimin e tij të shëndoshë. Tërbimi e verboi Potifarin si ndaj së vërtetës, ashtu edhe ndaj arsyes.

Potifari, gjithashtu, lejoi që të ndikohej në mënyrë të papërshtatshme nga gruaja e tij. Natyrisht, të gjithë ne ndikohemi nga shokët tanë më të afërt. Në shumë raste, kjo është gjë e mirë. Por askush prej nesh nuk duhet të ndikohet në mënyrë të papërshtatshme nga asnjë person. I vetmi person që duhet të ketë ndikim të padiskutueshëm në jetën tonë është Perëndia. Kur lejojmë një ndikim të papërshtatshëm, veçanërisht në çastet e vendimmarrjes, ne vëmë në rrezik jo vetëm veten, por gjithë të tjerët rreth nesh. Përkundrazi, ne duhet ta kërkojmë sigurinë dhe fitoren në “numrin e madh të këshilltarëve” (Fjalët e Urta 11:14; 24:6), të cilët do të na drejtojnë te mençuria e fjalës së Perëndisë në çdo rrethanë. Sa më i madh të jetë ndikimi dhe pasojat e një vendimi, aq më shumë këshilla duhet të kërkojmë dhe aq më shumë kohë duhet të kalojmë në gjunjë.

Potifari e lejoi veten të merrte një vendim ndërsa ishte i zemëruar — dhe vendimi i tij ishte i padrejtë. Zemërimi i pakontrolluar e verbon mendjen. Pasi është ndezur, është më e lehtë ta lësh zemërimin të përflaket, sesa ta shuash. Mirëpo edhe në rrethanat në të cilat zemërimi është reagimi i duhur ndaj padrejtësisë ose mëkatit (dhe ne ndjekim një Zot i cili reagoi Vetë me zemërim kur ishte e përshtatshme — shih Marku 11:15-18), ne nuk mund ta lejojmë zemërimin të drejtojë emocionet tona dhe të përcaktojë vendimet tona. Tregohuni të shpejtë për t’i kërkuar Perëndisë që të zbulojë çdo burim zemërimi të vazhdueshëm në jetën tuaj, që të mund të pendoheni aty ku është e nevojshme, të falni kur ju bëhet thirrje për të falur dhe të ecni përpara me urtësi dhe besim.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17