22 Korrik 2026

“Dhe ndërsa Jezusi hyri në shtëpi, dishepujt e tij nisën ta pyesnin veçmas:
‘Pse ne nuk mundëm ta dëbojmë?’. Dhe ai u tha: ‘Ky lloj nuk mund të dalë me asgjë,
në mos me lutje dhe agjërim.’”
MARKU 9:28-29

Te Marku 6, Jezusi i kishte dërguar dishepujt dy nga dy që të shpallnin nevojën për pendim. Ai u kishte dhënë atyre jo vetëm udhëzime specifike, por edhe “pushtet mbi frymërat e ndyra” (Marku 6:7). Për shkak të kësaj, ata kishin arritur gjëra të shkëlqyera: “…dhe dëbonin shumë demonë, dhe vajosnin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin” (v. 13).

Duke marrë parasysh suksesin e tyre të mëparshëm në shërbesën që u kishte dhënë Jezusi, është e lehtë të kuptohet pse dishepujt u habitën dhe u hutuan kur përpjekjet e tyre për të ndihmuar një djalë me një frymë të ligë dolën të kota, derisa Jezusi mbërriti dhe ndërhyri për ta çliruar atë (Marku 9:14-27). Ndoshta duke pyetur: “Pse ne nuk mundëm ta dëboj­më?”, dishepujt prisnin që Jezusi t’u jepte atyre një lloj njohurie të fshehtë. Ndonjë­herë këtë besojmë edhe ne, duke e keqkuptuar përgjigjen e Jezusit, sikur ai po thotë se nevojitet një aftësi ose shërbesë shumë e veçantë. Por nuk është kështu. Jezusi thjesht po u kujton dishepujve të Tij dhe neve këtë: Ju nuk ia dolët, sepse harruat të bënit diçka shumë të rëndësishme: nuk u lutët.

Dishepujt ishin rehatuar në suksesin e tyre. Ata e kishin harruar faktin se vetëm për shkak të mëshirës dhe fuqisë së pamasë të Perëndisë mund të bënin ndonjë gjë. Ata ishin ende në shoqërinë e Krishtit, e megjithatë tashmë po harronin. Ata kishin nevojë për një kujtesë.

Ndonjëherë edhe ne kemi nevojë për një kujtesë. Të imagjinosh se fuqia e Perëndisë është thjesht në dispozicionin tonë dhe nën kontrollin tonë, është e barabartë me mosbesimin; kjo do të thotë se po besojmë te vetja dhe jo te Perëndia. Ndryshe nga kjo, lutja, në fund të fundit, është përshtatja e vullnetit tonë me atë të Perëndisë. Lutja e pranon se është Perëndia ai që duhet t’i bëjë mrekullitë, sepse ne vetë nuk mundemi. Dhe derisa të mbështetemi në hirin e Perëndisë, ne nuk jemi në gjendje për të ndërhyrë në rrethanat e askujt dhe as për të sjellë një ndryshim të përjetshëm.

Ka shumë arsye pse ne nuk lutemi. Nuk mendojmë se është e nevojshme. Nuk duam.
I mbivlerësojmë aftësitë tona. Secila prej këtyre arsyeve tregon një mendjemadhësi absolute nga ana jonë. Kur përpiqemi t’i bëjmë gjërat vetë, shpesh do të zbulojmë se do të dështojmë keq. Prandaj, herën tjetër që tundohesh për ta kuptuar diçka vetë ose për të supozuar se fuqia e Perëndisë do të të mbështesë sepse e bëri herën e kaluar (dhe se “hera tjetër” ka të ngjarë të jetë sot!), merr parasysh atë që dishepujt e kishin harruar dhe atë që u kujtoi Jezusi: lutju Atij që ka gjithë fuqinë, që na mbulon me mëshirë dhe që meriton gjithë lav­dinë. Sepse, kur lutesh dhe shikon se çfarë bën Perëndia, zbulon se Ai bën shumë më tepër sesa ke guxuar të kërkosh ose ke menduar të përfytyrosh (Efesianëve 3:20).

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17