“Atëherë zotëria i Jozefit e mori dhe e futi në burg… Por ZOTI
qe me Jozefin dhe u tregua dashamirës ndaj tij, duke bërë që t’i
hynte në zemër drejtorit të burgut.” ZANAFILLA 39:20-21
Pas akuzës së padrejtë nga gruaja e Potifarit, Jozefi përfundoi në pikën më të ulët… sërish. Ai u dënua përsëri — kësaj here jo në një gropë, por në një qeli. Bota e tij ishte shkatërruar sërish.
Megjithatë, si njeri i Perëndisë — si burrë me parime — Jozefi shfaqi durim të pamasë. Ai ishte larguar nga tundimi joshës i gruas së Potifarit me forcën e bindjeve të tij dhe e kishte marrë vendimin mbi bazën e pastërtisë dhe të asaj që është e drejtë. Duket qartë se Jozefi kishte frikë më shumë nga Perëndia sesa nga qelia. Ai nuk do të binte në shtrat me gruan e Potifarit, sepse po ta bënte këtë, do të mëkatonte kundër Perëndisë. Për Jozefin, ky ishte fundi i çdo diskutimi të brendshëm dhe kjo ishte një bazë më se e mjaftueshme për vendimin e tij.
Një pikëpamje e tillë do të na mbajë edhe ne në udhën e ngushtë. Besnikëria e vërtetë nuk vjen nga pragmatizmi, por nga parimet. Kjo do të thotë t’i marrësh vendimet në vendin e qetë, duke mos lejuar që gjithë fanfara e botës të të shpërqendrojë. Do të thotë të bindesh pavarësisht nga pasojat. Do të thotë të jesh aq i vendosur për të qenë një burrë ose grua e Perëndisë, saqë kur trysnia e mëkatit të jetë më e madhe ose kur gjithçka të rrëzohet mbi ne, të dimë se si të reagojmë.
Ndërsa Jozefi duroi vuajtje të padrejta, Perëndia e demonstroi dashurinë e Tij duke i dhënë favor para gardianit të burgut. Në këtë tregim nuk ka asgjë që të sugjerojë se Jozefi u përpoq t’i manipulonte rrethanat për qëllimin e tij — edhe sikur Jozefi të kishte qenë duke kërkuar një mik ose një aleat, ai nuk do të kishte pritur kurrë që gardiani i burgut ta përmbushte këtë rol! Mirëpo Perëndia kishte ide të tjera. Prania e Zotit qëndron me njerëzit e Tij edhe në mes të rrethanave më të skajshme.
Herë pas here, të gjithë ne ndihemi sikur jemi në qeli — në një pikë tjetër të ulët në jetën tonë — dhe jemi mbyllur brenda një izolimi të acartë. Ndoshta kështu ndihesh sot. Ndoshta edhe ti, ashtu si Jozefi, ke qenë viktimë e akuzave të rreme ose po llogarit çmimin e vendosmërisë sate për t’iu bindur Zotit tënd, ose ndoshta diçka krejt e ndryshme po të rëndon në shpirt. Pavarësisht se me çfarë po përballesh, Zoti e di. Ai nuk është zënë kurrë në befasi dhe të do me një dashuri të përjetshme. Dashuria e Tij është e palëkundshme dhe rrethanat nuk e ndryshojnë atë. Ai të do aq shumë, saqë kaloi përmes qelisë së vdekjes dhe tmerrit të ferrit, që ti të mos kesh nevojë që të kalosh përmes tyre. Ngushëllohu duke e ditur këtë, ashtu siç deklaroi profeti Zakaria: “…ai që ju prek, prek beben e syrit të [Perëndisë]” (Zakaria 2:8).
