22 shkurt

Shkurt 2022


Pak para takimit të së dielës së kaluar, grupi i vogël i shenjtorëve po lutej, po përleshej fort në betejë për besimin e njerëzve tanë, për kishat në Qytetet Binjake, si dhe për kombet. Në një moment, një nga burrat u lut me fjalët nga Gjoni 1:14, 16:

Dhe Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit nga Ati, plot hir e të vërtetë...Dhe ne të gjithë morëm, prej plotësisë së tij, hir mbi hir.

Ky për mua ishte një moment epifanie., Perëndia, në atë moment, bëri që fjala “plotësi”—prej plotësisë së Tij—të përcillte një kuptim aq të plotë, sa ishte e jashtëzakonshme në efektin që pati tek unë. Ndjeva në një farë mase se çfarë mbart kjo fjalë në të vërtetë—plotësia e Krishtit.

Ndjeva një pjesë të mahnitjes që, po, unë me të vërtetë kisha marrë hir mbi hir prej plotësisë së Tij. Në atë moment, isha duke marrë hir mbi hir. Në atë çast, ndjeva që asnjë gjë nuk do të kishte qenë më e ëmbël sesa thjesht të ulesha te këmbët e Tij—apo të lexoja Biblën gjithë pasditen— dhe ta ndieja plotësinë e Tij që më mbulonte.

Pse pati një ndikim të tillë kjo plotësi në mua—dhe pse vazhdon ende të më prekë në mënyrë të pazakontë edhe sot? Pjesërisht për shkak se...

  • ...Ai nga plotësia e të cilit po mbulohem me hir është Fjala që ishte me Perëndinë dhe ishte Perëndi (Gjoni 1:1-2), prandaj plotësia e Tij është plotësia e Perëndisë—një plotësi hyjnore, një plotësi e pafundme;
  • ...kjo Fjalë u bë mish, prandaj Ai ishte një prej nesh dhe na ndoqi me plotësinë e Tij—kjo është një plotësi e arritshme;
  • ...kur kjo Fjalë u shfaq në trajtë njerëzore, lavdia e Tij u bë e dukshme—plotësia e Tij është një plotësi e lavdishme;
  • ...kjo Fjalë ishte “i vetëmlinduri nga Ati” (Gjoni 1:14) dhe ajo plotësi hyjnore po përcillej tek unë jo vetëm nga Perëndia, por përmes Perëndisë—Perëndia nuk dërgoi një engjëll, por Birin e Tij të vetëm për ta përcjellë plotësinë e Tij;
  • ...plotësia e Birit është plotësia e hirit—nuk do të mbytem në këtë plotësi, por do të bekohem në çdo aspekt nga kjo plotësi;
  • ....kjo plotësi nuk është vetëm një plotësi e hirit, por edhe plotësi e së vërtetës—nuk po më dhurohen lajka që e injorojnë të vërtetën; ky hir është i rrënjosur në realitetin e palëkundshëm.

Atëherë, a ju duket e habitshme që të ndihem i mahnitur dhe plot me gëzim nga plotësia e Krishtit!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia